Mercenarë rusë janë dërguar në lindje të Ukrainës

Mercenarë rusë janë dërguar në lindje të Ukrainës

12:24, 24/12/2021

Mercenarë rusë janë dërguar në javët e fundit në pjesën lindore të Ukrainës, të kontrolluar nga separatistët, për ta forcuar mbrojtjen kundër forcave qeveritare ukrainase, në kohën kur tensionet mes Moskës e Perëndimit janë të larta, i kanë thënë katër burime agjencisë “Reuters”.

 

Nga katër burimet, tri i treguan edhe ofertat e rekrutuesve të mercenarëve për të shkuar në Donbass të Ukrainës. Ata thanë se rekrutët nuk zbuluan se kë e përfaqësonin. Të gjitha burimet refuzuan që t’u publikohen emrat për shkak të frikës për sigurinë e tyre.

Dy nga tri burimet thanë se e kanë pranuar ofertën, i treti tha se e ka refuzuar. “Është një shtëpi e plotë. Ata po grumbullojnë të gjithë ata që kanë përvojë në luftime”, tha njëri nga ata që e kanë pranuar ofertën, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Ai tha se më parë ka luftuar në Ukrainë dhe Siri për grupet e kontraktorëve rusë të sigurisë, operacionet e të cilëve janë lidhur ngushtë me interesat strategjike të Rusisë. Ai refuzoi që t’i identifikonte kontraktorët.

Luftëtari tha se është duke planifikuar që të bashkohet me mercenarët tjerë në anën ruse të kufirit me rajonin Luhansk të Ukrainës lindore, të kontrolluar nga separatistët.

Kremlini thotë se nuk ka të bëjë asgjë me kontraktorët privatë ushtarakë rusë, operuesit e të cilëve i përshkruan si vullnetarë që nuk kanë lidhje me shtetin.

Njëri nga burimet, kontraktor që ka marrë pjesë në operacionet ruse jashtë vendit dhe tashmë ka arritur në lindje të Ukrainës, tha se dërgimi i mercenarëve është për qëllime të mbrojtjes. Të njëjtën gjë e tha edhe mercenari i parë.

Një burim tjetër tha se ai nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në dërgimin e mercenarëve, por është në kontakt me njerëz në terren që po u nënshtrohen trajnimeve speciale. Ai tha se qëllimi i dërgimit të mercenarëve është kryerja e aktiviteteve sabotuese për ta minuar stabilitetin në Ukrainë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco