Për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, diskutohet në takimin Kosovë-Serbi në Bruksel

Për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, diskutohet në takimin Kosovë-Serbi në Bruksel

16:50, 11/11/2021

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin më 16 nëntor në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet të dyja vendeve.

Përderisa Qeveria e Kosovës thotë se në këtë takim do të diskutohet për çështjen e të pagjeturve dhe energjisë, nga Qeveria e Serbisë insistojnë se do të diskutohet për Asocacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në një përgjigje për Reporteri.net, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se në takim do të marrë pjesë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ai ka thënë se temë diskutimi do të jetë çështja e të zhdukurve, energjia dhe lëvizja e lirë.

“Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë. Data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel liderësh varet nga rrjedha e procesit dhe dakordimi për çështjet në nivel kryenegociatorësh”, tha Kryeziu.

Në anën tjetër, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë ka konfirmuar për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se drejtori i asaj zyre, Petar Petkoviq, i cili kryeson ekipin negociator të Serbisë në dialogun me Kosovën, do të marrë pjesë në dialogun e planifikuar për 16 nëntor në Bruksel dhe se sipas marrëveshjes së mëparshme, tema kryesore do të jetë të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Petkoviq, ditëve të fundit, ka dhënë një sërë deklaratash për shtyp, duke kritikuar autoritetet e Kosovës për refuzimin e bisedimeve për formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, autoritetet e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë se do të bisedohet për çështjen e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, 
por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco