A ishte vendimtar debati i mbrëmshëm për fituesin e Prishtinës?

A ishte vendimtar debati i mbrëmshëm për fituesin e Prishtinës?

15:49, 11/11/2021 Nga Albionë Zhitia

Për herë të parë në historinë e betejave elektorale në Kosovë janë ballafaquar dy kandidatët për Prishtinën. Edhe pse në vazhdimësi kemi pasur debate mes të gjithë kandidatëve nga partitë e ndryshme, por, në raundin e dytë, e që gara është shumë e fortë, kanë munguar. 

Për me tepër, këto debate televizive më shumë janë shfrytëzuar për të sulmuar njëri-tjetrin, se sa për të prezantuar programin e tyre politik, me anë të të cilit do u lehtësohet jeta qytetarëve.

Mbrëmë në njërin nga televizionet tona, kandidati i VV-së, Arben Vitia dhe ai i LDK-së, Përparim Rama, janë ballafaquar sy më sy, duke argumentuar për ofertat e tyre për votuesit, por edhe kunjat nuk kanë munguar – shkruan Syri.net Kosova.

Nga kjo paraqitje u ngritën shumë reagime dhe filluan të qarkullojnë pyetje të ndryshme se kush e fitoi këtë debat, apo cili kandidat arriti ta bind qytetarin e lëkundur që t’ia besojë votën.

Nga një shikim i përgjithshëm, vërehet se në këtë debat më shumë poena mori Përparim Rama, ndërsa Arben Vitia më shumë mori mbështetje nga përkrahësit e LVV-së.

Ky debat tregoi një kulturë politike të re në Kosovë dhe përcolli qytetari, prandaj po cilësohet se duhet të shërbejë si një shembull për të gjitha debatet politike që do të kenë kundërkandidatët.

Për Emir Abrashin nga Demokraci Plus, të dy kandidatët kishin rastin e mirë për të trajtuar tema të ndryshme dhe që do t’i shndërronin në vota votuesit e papërcaktuar.

Abrashi tutje duke folur për Syri.net bëri edhe diferencimin e kandidatëve, se cili ishte më konkret.

“Duke e gjykuar debatin e mbrëmshëm, mendoj se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Përparim Rama, ishte konkret në prezantimin e projekteve të tij si në realizimin e këtij projekti, ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Arben Vitia është shpërfaqur e hapur duke u realizuar nga ekzekutivi në realizimin e projekteve të tij. Si rrjedhim, nëse do të kishte një ndryshim të qeverisjes në të ardhmen, z. Vitia do ta kishte shumë të vështirë realizimin e projekteve të tij”.

Është profesori Rrahman Paçarizi që ka kohë që ka kërkuar që në Kosovë të vije një udhëheqësi që janë shkolluar e edukuar jashtë vendit. E këtë kërkesë si duket ia plotësoi Rama i LDK-së me anë të argumentimeve që ai bëri për programin e tij, gjë që nuk e bëri Vitia.

“Në përballje po shohim një plan zhvillimor kundrejt një plani të ruajtjes së varfërisë; po shohim kreativitet kundrejt shpresës në qeverinë qendrore. Po e shohim duelin ndërmjet një profesionisti mendjehapur kundrejt një aktivisti partiak d.m.th. Përparim Rama po del që e ka kundërkandidat Albin Kurtin dhe jo Arben Vitinë” u shpreh Paçarizi.

Edhe për Albert Krasniqin, Vitia nuk arriti ta dominonte debatin. Krasniqi vlerëson se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje kishte zgjedhur një pozicionim, që, sipas tij, ka qenë strategjikisht i gabuar.

Fillimisht, Krasniqi thotë se Vitia lejoi që debati të zhvillohej në terrenin e Ramës, në vend se ta orientonte atë kah shëndetësia. Ai shkruan se Vitia shprehu frikë nga humbja.

Në anën tjetër, Bekim Salhiu nga GAP ka thënë se asnjëri kandidat nuk diti të tregojë se sa është buxheti për investime kapitale në Prishtinë.

Për me tepër, ai tha se këto investime vijnë nga granatet qeveritare, të hyrat vetanake dhe nga Ligji për Prishtinën, e që këtë vit vlera e kapitalit shkoi në 39 milionë euro.

E shumë hapur fitoren në këtë debat Përparim Ramës ia ka uruar ish-deputeti Gani Geci.

Tutje, Geci ka thënë se në këtë debat u pa se kush është profesionist, derisa Vitinë e quajti “aktivist që është mësuar me gjuajt gurë e vezë”.

“Kryetar urime për fitoren ne debatin. U pa Debati i nji profesionisti dhe nji aktivisti qe është mësua me gjuajt gurë e vezë as me ec as me fol nuk din pa e pyet Liderin Suprem”, ka shkruar Geci në postimin e Ramës

Image

Mirëpo, përkundër fjalëve të mira për këtë debat, të dy kandidatët që pretendojnë të marrin drejtimin e kryqytetit, nuk prekën shumë tema sa që në disa momente diskutimi pati rënie të një nivel të argumenteve teknike, se sa, të shfrytëzimit të hapësirës publike për të treguar për planet e tyre, për çështjet mjaft me rëndësi, siç janë arsimi, kultura e sporti.

Sipas Emir Abrashit, kjo gjë edhe mund të ketë ardhur për shkak të mënyrës se si u moderua ky ballafaqim.

“Moderatori mund të ketë dashur që kandidatët të hyjnë edhe në terme teknike, për të parë edhe kuptimësinë e punëve dhe të programeve, si dhe për të qartësuar para publikut aftësinë e kandidatëve për të kryer detyrat e të Parit të Kryeqytetit.Do të ishte shumë mirë që edhe këto tema të trajtoheshin më në detaje, ani pse disa u përmenden shkarazi. Mirëpo besoj se edhe për shkak të limitit kohor si dhe duke pasur parasysh se ky ishte debati më i rëndësishëm i këtij cikli zgjedhor, e kuptoj se shumë tema të rëndësishme kanë mbetur pa u trajtuar" shprehet Abrashi për Syri.net.

Derisa u ‘harruan’ temat sociale, Rama në këtë përballje me Vitinë tregoi se ka një autonomi për të vepruar pa ndikimin e partisë, për dallim nga Vitia, kështu të paktën po e vlerëson edhe Abrashi.

“Përparim Rama u mundua të përqojë mesazhin se është autonom në vendimmarrje dhe se mundet të punojë pa direktivat e partisë. Ndërsa Arben Vitia disa herë e potencoi se mbështetja e partisë është vendimtare, duke lënë të nënkuptojë që edhe do të jetë i varur në vendimmarrje nga subjekti politik të cilit ai i përket.
Prishtina ka probleme të mëdha të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejta e efikase, andaj edhe Prishtinës i nevojitet një menaxher i mirë i cili di si t’i implementoj ato projekte e i cili nuk sillet si burokrat, por i cili di të marrë vendime të shpejta dhe të cilat mund edhe të mos gëzojnë mbështetjen e partisë. Në këtë aspekt, gjykoj se z. Rama u tregua më i gatshëm që të marrë vendime që jo-detyrimisht i bëjnë të kënaqura kryesitë e partive por që mund të jenë tejet të dobishme për zgjidhjen e lëmshit në Prishtinë".

“Padyshim se mbështetja e partisë është jetike në kontekstin kosovar, por fakti që z. Rama ka duar të lira për të marrë vendime dhe për të vepruar nuk do të thotë se këtë e bën kushtimisht pa përkrahjen e subjektit politik nën siglën e të cilit garon” thekson Abrashi.

Në fund, për hulumtuesin, nga ky diskutim u pa se kandidati i LDK-së është më i gatshëm të dalë nga konturat partiake dhe është më i gatshëm për të nisur projekte të mëdha, ndërsa Vitia i VV-së dha përshtypjen se nuk është i gatshëm të dalë jashtë konturave të partisë dhe është i gatshëm vetëm për të ndërmarrë projekte të vogla. E për transformimin e Prishtinës, projektet e vogla janë të pamjaftueshme, përfundoi Abrashi deklarimin e tij për Syrin.

Ndryshe, Rama dhe Vitia do të përballen në balotazh të dielën, meqenëse asnjëri prej tyre nuk i mori votat e mjaftueshme për të fituar në raundin e parë të zgjedhjeve.

Arben Vitia mori vetëm 42% të votave, ndërsa Përparim Rama 27%. Për të marrë drejtimin e Prishtinës duhen të paktën 50% plus një./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco