Kush e fitoi sonte debatin  në përballjen televizive Vitia-Rama?

Kush e fitoi sonte debatin në përballjen televizive Vitia-Rama?

23:46, 10/11/2021

Para balotazhit të 14 nëntorit, janë përballur në një debat televiziv kandidatët për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje  e Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në duelin mes tyre ku pati edhe shumë përplasje, Vitia e Rama shpalosën programin e tyre për katër vitet e ardhshme në Prishtinë.

Vitia e Rama shpalosën argumentet e tyre pse program i secili është më i mirë se i tjetrit.

Ata në Rubikon të Klan Kosovës  u shprehën të bindur se mëngjesi i 15 nëntorit do t’i gjej si kryetar të Prishtinës. Ata treguan edhe planet e tyre për ditën e parë të punës si kryetar.

Rama i tha Vitisë se në debat e ka pritur të shoqëruar nga kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri, Albin Kurti.

Ata shkëmbyen edhe batuta mes vete. Madje në një moment Rama i LDK-së e ftoi Vitinë që të bëhet pjesë e kabinetit të tij, por vetëm nëse nuk ka kandidat më me CV më të mirë.

“Unë e kam listën e emrave dhe para dy muajsh kam dashur ta bëj publike sepse besoj që duhet të jemi transparentë në këtë pjesë, por e kam kuptuar që nuk duan të paraqiten para fitores për shkaqe të ndryshme, sepse kemi pjesëtarë të partive të ndryshme aty – edhe të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe nuk duan të bëhen publike para fitores. Jam i hapur”, tha Rama.

Vitia ka qeshur me deklaratën e Ramës.

“Mund të jesh i hapur, por ju sfidoj që ta përmendni dhe jam i sigurt duke njohur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Jam i sigurt se një pjesë e mirë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë drejtorë, ama në drejtoritë që do të udhëheq unë”.

Rama i ka thënë se për këtë do të bindet të hënën dhe “do të festojnë së bashku”, derisa Vitia i përgjigjet se kjo, përpos humorit, është edhe ironi.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeqytetin ka thënë se deklarata e Ramës nuk duhet të merret seriozisht.

“Të thuash që ka drejtorë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në ekipin tuaj duhet të jemi më serioz z.Rama. Besoj në vullnetin e tij të mirë që kishte qenë mirë të jetë edhe dikush nga Lëvizja Vetëvendosje, por të thuhet se kam biseduar edhe me dikë nga lëvizja Vetëvendosje që do të jetë drejtor mendoj se përveç se nuk merret seriozisht është edhe për të ardhur keq që para qytetarëve jepni një konstatim të tillë që është e pavërtetë”.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën i ka thënë kundërkandidatit të tij se duhet të jetë më mendjehapur dhe se do ta mirëpriste në kabinetin e tij, nëse do të jetë kryetar i kryeqytetit.

“Duhet të jeni mendjehapur për të mirën e Prishtinës. Nuk kam problem që edhe ju të jeni pjesë e kabinetit tim, por nëse ka më të mirë më të mirët do ta marrin vendin. Kjo është ideja që ne t’i marrim më të mirët që ta çojmë qytetin përpara dhe ta heqim nga ky kaos”.

Një gjë që ka në sy gjatë debatit ishte se Arben Vitia i Vetëvendosjes në vazhdimësi e përmendte mbështetjen që do ta ketë nga pushteti qendror.

Kjo iu duk shumë shqetësuese kandidatit të LDK-së, Përparim Rama. Rama tha se është I shqetësuar nga kjo deklaratë. Ai e pyeti Vitinë se a do të thotë kjo që Qeveria nuk do ta ndihmojë atë si kryetar.

Pati edhe thumbime e shpoti gjatë debatit. Përderisa Vitia thoshte se për Ramën është në disfavor që nuk është pjesë e politikës.

E Rama i tha se me çështjet politike merret Lumir Abdixhiku, e ai me problemet e Prishtinës.

Madje Rama e ka thumbuar kundërkandidatin e tij nga Vetëvendosja Arben Vitia duke i thënë se për dallim prej tij ai i merr vendimet vetë.

“Unë, përkundër teje, marr vendime vetë. Nuk e pyes askënd lart, por marr vendime vetë. Vendimet e mia janë që stafi im të jetë profesional, të ketë aftësi menaxheriale dhe s’ka lidhje a janë të LDK-së, Vetëvendosjes, PDK-së, ose partive të tjera. Stafi do të jetë profesional, sepse ideja është për të mirën e qytetarëve të Prishtinës”.

Ata kanë folur edhe për planet e tyre për zgjidhjen e kaosit urban dhe problemeve të tjera me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës.

Vitia e Rama kanë thënë se nëse fitojnë do të ia urojnë fitoren njëri tjetrin.

Se kush e fitoi debatin e tregojnë të dielën më 14 nëntor qytetarët e Prishtinës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco