Ky është qëndrimi i PDK-së në Gjilan për balotazhin mes LVV-së dhe LDK-së

Ky është qëndrimi i PDK-së në Gjilan për balotazhin mes LVV-së dhe LDK-së

23:11, 10/11/2021

Dega e PDK-së në Gjilan ka treguar se është kontaktuar nga dy partitë që janë në balotazh për kryetar të Komunës – LVV dhe LDK.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka theksuar se oferta e Vetëvendosjes nuk ka qenë serioze, ndërsa për LDK-në ka thënë se përveçse ka qenë shumë serioze, ka treguar edhe përkushtim.

“Qasja tepër e ndryshme e dy kandidatëve për kryetar të Gjilanit, ndaj subjekteve tjera politike dhe ndaj strukturës tonë në degën e PDK-së, normalisht që i ka dhënë frymë fitores së njërit nga kandidatët për kryetar”, thuhet në reagimin e PDK-së në Gjilan.

 

“Subjekti i VV aspak nuk ka qenë serioz në komunikimin me ne dhe në kërkesën e tyre ndaj nesh si subjekt politik, për ta përkrahur kandidatin e tyre për kryetar të Gjilanit.

Ndërsa LDK, që nga fillimi ka pasur qasje serioze dhe përkushtim për të marr përkrahjen tonë si subjekt politik, për kandidatin e tyre për kryetar të Gjilanit”, thuhet në reagim.

PDK e Gjilanit ka reaguar edhe ndaj qëndrimit të ish-kryetarëve të degës së partisë në Gjilan në lidhje me balotazhin e 14 nëntorit.

“I pari ish kryetar i degës, i ka bërë tepër shumë dëme PDK-së në Gjilan në një periudhë kur PDK qeveriste me komunën dhe bënte punë të mëdha për Gjilanin dhe ai dezertoi në VV. E i dyti ish-kryetar, sikur ta kishte durimin e tij, sot do të ishte ende në krye të degës së PDK-së dhe do ta bënte luftën e tij politike kundër njërit kandidat dhe të punonte më lehtë për tjetrin kandidat”, thuhet në reagim.

 

Ish-kryetari i degës së PDK-së dhe i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë në emisionin “Debat Përnime” se e përkrah kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

 

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco