Apeli ka keqinterpretuar të drejtën dhe ka minuar besimin e qytetarëve në drejtësi

Apeli ka keqinterpretuar të drejtën dhe ka minuar besimin e qytetarëve në drejtësi

10:24, 11/06/2021

Në rastin e hidrocentraleve në Deçan, Gjykata e Apelit ka vendosur kundër ambientit dhe qytetarëve, duke vlerësuar më lartë interesin e kompanisë private sesa interesin publik, tha Alba Dushi, eksperte ligjore e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Sipas saj në kolegjin e përbërë nga Gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Delushe Halimi dhe Gani Avdiu, Gjykata e Apelit e ka hequr masën pezulluese ndaj hidrocentraleve në Deçan, me arsyetimin se (i) aktivistët paditës banorë të Deçanit, nuk kanë dëshmuar se po u shkaktohet dëm i pariparueshëm, edhe pse dëmi nga hidrocentralet është mëse i qartë; (ii) ka konstatuar se me pezullim të lejeve do t’i shkaktohej dëm i pariparueshëm Kelkos Energy Sh.p.k., por nuk ka përcaktuar se cili dëm do të ishte ai, edhe pse me pezullim të vendimeve kësaj kompanie vetëm se do t’i shtyhej fitimi për më vonë nëse në fund do të fitonte lëndën, edhe pse bazuar në fakte të rastit, kjo nuk duket të jetë e mundshme. 

Investimi që është bërë për ndërtim të hidrocentraleve mund të thuhet se është minimal në krahasim me fitimin multi-milionësh që do të mund ta ketë për dekada me rradhë. 

Po ashtu, Gjykata e Apelit (iii) ka konstatuar se dëmi i Kelkos Energy Sh.p.k. do të ndikonte indirekt ndaj banorëve të Deçanit që furnizohen me rrymë, gjë që është e pasaktë sepse këta banorë do të furnizoheshin nga KEDS siç ka ndodhur gjithmonë; dhe në fund Gjykata (iv) ka konstatuar se pezullimi i operimit të hidrocentraleve në Deçan është “kundër interesit publik” që është një interpretim mëse i gabueshëm thënë më së buti, kur marrim parasysh degradimin e madh të natyrës, të ekosistemit, parkut kombëtar, mospërfshirjen e qytetarëve në debate publike, dhe mungesën e tërësishme të transparencës në vendime të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve. 

Me këtë vendim Gjykata e Apelit ka keqinterpretuar të drejtën dhe ka minuar besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë!

Po ashtu, duhet të sqarojmë edhe një fakt tjetër të rëndësishëm. Për momentin ekzistojnë dy procedura në Gjykatë kundër Hidrocentraleve në Deçan. 

E para është padia e banorëve të Deçanit, Faton Selmanaj dhe të tjerët, dhe e dyta është padia e GLPS dhe Pishtarëve, që të dyja të paraqitura në të njejtën ditë. 

Gjykata Themelore kishte vendosur të hedhë poshtë padinë e GLPS dhe Pishtarët e cila ishte paraqitur disa orë më vonë se sa padia e banorëve, me arsyetimin se ekziston gjyqvarësia. Për këtë gjë, GLPS dhe Pishtarët kanë paraqitur ankesë në Gjykatë të Apelit, duke shprehur se nuk ekziston gjyqvarësia, sepse – edhe pse lejet e kundërshtuara janë të njejta – palët në këtë rast janë të ndryshme, pra banorët e Deçanit në njërën anë, dhe në anën tjetër Pishtarët dhe GLPS. Prandaj, këto organizata kanë kërkuar bashkim të procedurave, që të kenë mundësi të paraqesin argumentet dhe provat e tyre.

Gjykata e Apelit, fare nuk e ka trajtuar lëndën e Pishtarëve dhe GLPS, e kështu i ka lënë këto organizata tërësisht jashtë procesit gjyqësor – duke u shkelur të drejtën e tyre në gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ankesa është paraqitur që në fillim të shkurtit, kurse deri më tash Gjykata e Apelit nuk ka marrë fare vendim për këtë, gjë për të cilën GLPS dhe Pishtarët kanë paraqitur edhe 3 kërkesa për trajtim urgjent të lëndës tek Gjykata e Apelit, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Kështu, Gjykata e Apelit, e ka konsideruar më urgjente të vendosë për ankesën e Kelkos Energy Sh.p.k. të paraqitur disa javë më vonë – e rrjedhimisht t’ia heqë masën hidrocentraleve – kurse ankesën e Pishtarëve dhe GLPS që të bashkohen në procedurë nuk e ka trajtuar fare deri tani, edhe pse ishte paraqitur disa javë më herët. Kjo paraqet shkelje të rëndë të së drejtës së organizatave në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtës në mjet efektiv juridik dhe, të drejtës për të kontestuar vendime të autoriteteve publike përmes rrugëve gjyqësore.”

Kurse Arbër Fetahu, kordinator i projektit në Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike tha si në vijim:

“Edhe pse interesi publik duhet vënë gjithmonë përpara interesit privat të kompanive, Gjykata e Apelit duket se e mbështet këtë të fundit. Vendime të tilla e vënë edhe më shumë në pah nevojën urgjente për një veting të gjyqtarëve në Kosovë, ata të cilët po e humbin të ardhmen e këtij vendi, duke u shëndërruar në klientë të kompanive private me qasje keqpërdoruese ndaj ligjit. 

Për këtë arsye, sot Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike do të paraqesë ankesë diciplinore ndaj kolegjit të Gjykatës së Apelit, për shkak se në bazë të Ligjit për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka shkelur detyrat e saj duke mos i trajtuar siç kërkohet nga ligji palët në procedurë, pra nuk i ka trajtuar Pishtarët dhe GLPS sipas ligjit, duke i përjashtuar ata nga procedura dhe duke ua shkelur të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm.”

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco