Liturgjia në kishën e Arkanit në zemër të Prishtinës trazon Kosovën

Liturgjia në kishën e Arkanit në zemër të Prishtinës trazon Kosovën

19:14, 10/06/2021

Mediat serbe sot raportuan se Kisha Ortodokse Serbe ka mbajtur liturgji fetare në kishën në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës.

Kjo është hera e parë që mbahet liturgji në këtë kishë pas luftës, ndërsa mediat serbe thonë se për herë të fundit aty është mbajtur një rit fetar në vitin 1998, shkruan Syri Kosova.

Ky veprim i raportuar nga mediat serbe ka nxitur reagime të ashpra në Prishtinë.

Shumë fytyra publike, kanë reguar duke drejtuar gishtin nga Qeveria për këtë lejim, duke hedhur akuza e kundërakuza ndaj njëri-tjetrit.

Syri.net Kosova sjell me poshtë disa nga reagimet për këtë liturgjë.

Daut Haradinaj, kandidati i AAK-së për Komunën e Prishtinës, ka thënë se me këtë veprim, është shkelur dinjiteti kosovar.

“Me gjithë respektin për liritë fetare, liturgjia ortodokse serbe e mbajtur sot në kishën e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kishë kjo e ndërtuar mbi idetë fashiste millosheviqiane, është shkelje e dinjitetit të Republikës sonë e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve tanë”, ka shkruar Haradinaj.

Në padijeni që do mbahet kjo liturgjë është shprehur Mexhid Ramusa, drejtor i organizatës “Demokracia Studentore” i cili ka thënë se po të kishin dijeni lidhur me këtë zhvillim, do ta parandalonin përmes protestave.

Edhe anëtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi ka thënë se gjatë vitit 2016, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka detyruar që bëjnë rojë për disa ditë me radhë afër Kishës Ortodokse serbe në mes të kampusit universitar.

Ai tha se disa aktivistë të VV-së ia kanë ndërruar drynin kishës vetëm për të parandaluar mbajtjen e meshës që ishte paralajmëruar atë kohë.

“Me kujtohet kur ne 2016, si Vetevendosje, me insistimin e Albinit, grupe aktivistesh kemi mbajte roje per disa dite me radhe afer kesaj kishe. Disa aktiviste, naten vone ia nderrojne drynin ketij objekti per te parandaluar mbajtjen e meshes se paralajmeruar ne ate kohe”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Kurse, i pari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se Qeveria e Kosovës ka dhënë leje për mbatjen e liturgjës.

“Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës. Kurrë nuk mund të sigurohej ardhja e ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë pa lejen, ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga Qeveria. Prandaj, sot, fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit. Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviqit. Gërmadha e ngritur dhe e papërfunduar në kohën e okupimit, duhej të trajtohej si e tillë – një projekt tjetërsimi shovenist ndaj shqiptarëve që u ndal dhe nuk përfundoi asnjëherë. Por jo, 22 vite pas luftës, kur plagët e dhimbjes nga lufta janë ende të hapura, të organizohet me lejen e plotë të qeverisë Kurti,një liturgji që është thellësisht politike, është e dhimbshme dhe e papranueshme” tha Hoxhaj.

Hiç më i butë në reagim nuk ka qenë as militanti i VV-së, Ron Gjinofci.

““Për meshën e sotme në të ashtuquajturën kishë ortodokse në Prishtinë, nëse qeveria thotë s’e kena ditë, atëherë na s’kokëm t’sigurtë se ktyne para hunve po ju kalojkan keqbërësit, nëse e kanë ditë e i kanë lonë, atëherë le ta përgatisin lirisht ni shpjegim t’gjatë, i cili s’di çfarë justifikimi munët me përmbajtë”, ka shkruar Gjinovci.

Nga ana tjetër, publicisti Shkëlzen Gashi ka komentuar liturgjinë e sotme që Peshkopi Teodosije ka mbajtur sot në Kishën e Braktisur brenda kampusit të UP-së.

Gashi ka shkruar se Serbia synon të provokojë që më pas reagimi i kosovarëve të jetë ngjashëm si në vitin 2004 e që ky reagim t’ua mundësojë të fitojnë eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve.

“Serbia synon të na provokojë, në mënyrë që ‘ne’ të reagojmë mundësisht sikur në mars 2004. atëherë, falë reagimit ‘tonë’, sërbia fitoi status të zonës së mbrojtur për kishat dhe manastiret ortodokse. tani, ajo synon eksterritorialitet”, ka shkruar ai.

Madje, ish-ministri Dardan Gashi ka thënë se kjo kishë i ka dy çelësa, e njërin prej tyre e ka Liburn Aliu.

"Në vitin 2013, kur kam qenë ministër, bashkëkryesues sa i përket kësaj kishe, kur kanë ndodh disa incidente, kemi marrë vendim që të mbyllet dhe të vihen çelësat. Një çelës i takon ministrisë dhe një çelës i takon Kishës Ortodokse dhe që asnjë aktivitet të mos merret pa dakordimin e dy palëve për të mos pasë provokime. Nëse sot ka ndodh kjo liturgji, në një kishë që nuk është e dedikume si kishë e institucioneve të Kosovës, natyrisht që ky është një lëshim i madh i institucioneve të Kosovës dhe një provokim njëkohësisht i Kishës Ortodokse Serbe’’, janë fjalët e Gashit.

Reagimet kanë vazhduar, kësaj radhe nga ish-anëtari i VV-së, Zgjim Hyseni.

“Nëse Qeveria  e Kosovës nuk ka ditur një gjë të tillë, atëherë i bien që në Kosovë hyn e del kushdo. Në anën tjetër nëse ata kanë informatë, domethënë që ata e kanë lejuar një gjë të tillë. Për ne është kjo e dyta. Duke e ditur që e kemi dialogun dhe na pret Asociacioni I komunave serbe dhe përpjekja për me inauguruar këtë lloj kishe ka qenë si pjesë e Asociacionit dhe është në kuadër të dialogut”, ka thënë Hyseni.

Pas mbajtjes së liturgjisë në Kishën Ortodokse që është në oborrin e UP-së, nga Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri thotë se kishës që u ndërtua dhunshëm në oborrin e Universitetit, qeveria Kurti ia paska gjetur çelësin.

“Ende pa arritur në tryezën e bisedimeve me Vuçiqin, kryeministri qenka kujdesur t’i bëjë “dhuratë” sa për t’ia ndrequr disponimin” shkruan Tahiri në Facebook.

Nga PDK-ja kanë vazhduar me reagime, duke treguar se kush e ka dhënë lejen për ndërtimin e kësaj kishe dhe çfarë lidhje ka personi në fjalë me Albin Kurtin.

“Lejen për ndërtimin e Kishës së Millosheviqit dhe Arkanit në oborrin e UP-së e ka dhënë Hamdi Vraniqi. Djali i Hamdi Vraniqit, Erzen Vraniqi, është njeriu më i afërt i Albin Kurtit. Në Qeverinë Kurti I, Erzen Vraniqi ishte këshilltar politik i Albin Kurtit. Në Qeverinë Kurti II, Erzen Vraniqi është veç një zyre më larg Albin Kurtit, si pjesë e kabinetit të Besnik Bislimit, zëvendëskryeministri për dialog”, ka thënë Betim Gjoshi i PDK-së.

Pse përse kjo liturgjë u mbajt pikërisht sot me 10 qershor, e tregon edhe Blerim Latifi.

“10 qershori është data e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, organizatës së parë kombëtare shqiptare.  qershori është data e fillimit të largimit të ushtrisë e policisë serbe nga Kosova, pas nënshkrimit të kapitullimit të tyre në Kumanovë me 9 qershor 1999. 10 qershori është data kur gjatë vizitës së tij në Tiranë, në qershor 2007, presidenti Bush, njoftoi botën se pavarësia e Kosovës është punë e kryer", ka shkruar Latifi në Facebook.

Ndërsa, ky është reagimi i Visar Berishës:

“Liturgjia ortodokse ne objekti politik, ne token e UP vjen pak dite pas takimit te Palmerit dhe Lajçak me kreret e KOS. Kisha Serbe po behet pale ne bisedime, po kujt me ia thane se...deri sa keta ta dergjin nacionalizmin e vet prematur Serbia vec ka kry pune”.

Deri më tani, në publikimin e këtij shkrimi, për këtë çështje nuk ka reaguar as zyra e Kurtit e as MPJ-ja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco