Drejt testit të parë elektoral, LDK-ja e Abdixhikut përpiqet të lërë pas debaklin e Isa Mustafës

Drejt testit të parë elektoral, LDK-ja e Abdixhikut përpiqet të lërë pas debaklin e Isa Mustafës

13:09, 05/05/2021 Nga A.R

Pas dorëheqjes së Isa Mustafës, më 14 mars të këtij viti Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zgjodhi Lumir Abdixhikun kryetar të ri të partisë. Kjo erdhi pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit ku LDK-ja u rëndit i partia e tretë.

Reformat në LDK u kërkuan edhe nga vet eksponentët e kësaj partie, derisa shumë prej tyre shpërfaqën pakënaqësitë edhe para se vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.

Ishte presidentja, Vjosa Osmani e cila kishte kundërshtuar prishjen e koalicionit qeverisës me partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e që më pas u shkarkua nga të gjitha pozitat brenda partisë.

Pas këtij vendimi të Kryesisë së LDK-së, Osmani u largua përfundimisht nga kjo parti, bashkë me disa anëtarë tjerë të cilët vazhdimisht kishin shprehur pakënaqësitë e tyre për politikën qeverisëse që LDK-ja ndoqi gjatë kohës sa udhëhiqte me vendin.

Klani që konsiderohej i Isa Mustafës u largua pas reformimit të kësaj partie duke mos u dhënë pozita kyçe në parti figurave që njiheshin si “uzurpatorë” të LDK-së dhe “shkatërrues” të kësaj partie.

Reformat e nisura në LDK për njohësit e rrethanave politike do të duhej të vazhdonin edhe sa i përket degëve dhe nëndegëve të kësaj partie. Për të cilat thonë, se LDK-ja ende nuk ka numër të saktë të anëtarëve të saj si pasojë e organizimit të dobët brenda partisë.

Po ashtu, zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë, do të jenë test për partinë e Lumir Abdixhikut, përmes së cilave LDK-ja  do të duhej të tregojë maturi për përzgjedhjen e kandidatëve të saj për komunat që pretendon t’i udhëheq.

Emini: Zgjedhjet lokale do të jenë rezultati i reformave brenda LDK-së

Analistja politike, Donika Emini ndërsa ka folur për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe strukturave të LDK-së, ajo ka vlerësuar se testi më i madh i reformave në LDK do të jenë edhe zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Tërheqja e Isa Mustafës dhe emërimi i një të riu është reforma që ka filluar brenda LDK-së, edhe pse hapa të vegjël, por LDK-ja po transformohet gjë që s’mundesh me thënë për partitë tjera. Mbetet me u pa në zgjedhjet lokale se cilin ka me qenë rezultati për kryetar të komunave që realisht rezultati i reformave ka me u pa aty. Mirëpo edhe si opozitë si partia e tretë, është pritur me qenë më e zëshme jo vetëm në parlament por edhe si opozitë në përgjithësi”, tha Emini për Syri Kosova.

Sipas saj, LDK-ja do të duhej t’i prezantonte temat që do t’i çoj përpara e jo t’i dalë vetëm kundërt pushtetit të ri të drejtuar nga Albin Kurti.

Deri tash LDK-ja ka qenë konstruktive. Më shumë ka qenë vetëm kundër Vetëvendosjes, ende nuk i kanë gjetur temat që kanë me i shty përpara”, tha Emini për Syri Kosova.

Baraliu: Brezi i ri në LDK, forcë e ndryshimeve brenda partisë

Zgjedhja e kryetarit të ri  të LDK-së dhe emërimi i brezit të ri në Kryesinë e saj, për profesorin Mazllum Baraliun konsiderohet një prej ndryshimeve kryesore brenda kësaj partie pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit.

LDK-ja përmes një gare shumë demokratike ka zgjedhur kryetarin e ri. Ka qenë një rrotacion jo vetëm formal, por edhe cilësor, në kuptimin e ndërrimit të brezit. Tani LDK-ja ka një brez dhe kryesi krejt të re të cilët do të jenë forcë e ndryshimeve tjera brenda partisë. LDK-ja i duhet ende reformat e brendshme për një periudhë të konsiderueshme të kohës. Ka qenë një frymë më demokratike dhe e moderuar jo vetëm për LDK-në por edhe për skenën politike në Kosovë, sepse kjo është partia më e vjetër dhe e para institucionale që në një mënyrë e bën balancën. Është ndryshim pozitiv, i mbarë dhe premtues i LDK-së”, tha Baraliu për Syri Kosova.

Ai thotë se LDK-ja ka treguar qasje konstruktive dhe tolerante me bërjen e kourumit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Sipas tij, tani ky subjekt që dikur ishte forcë politike përmes qëndrimeve të saja karshi pushtetit të ri është duke treguar konstruktivitet.

LDK-ja në parlamentin e Kosovës është parti konstruktive. Kushdo që pretendon që ta kritikojë LDK-në, gabon sepse nuk ka qenë dobësi bërja e kuorumit për presidenten Vjosa Osmanin. LDK-ja me zgjedhjen e Osmanit ka krijuar një qasje konstruktive, tolerante dhe të arsyeshme për një ish-anëtare të saj, e cila ka kapital, që unë mendoj që Osmanit për krijimin e këtij kapitali i ka ndihmuar edhe partia. Edhe tani qëndrimet dhe parimet e LDK-së janë konstruktive dhe opozitare ndaj veprimeve të pushtetit”, tha Baraliu.

Alija: Kopja e opozitarizmit të VV-së do t’i bëj dëm LDK-së, nevojë për reforma edhe në degë e nëndegë

Për analistin politik, Rasim Alija, LDK-ja ende ndodhet në fazë të tranzicionit. 

Ai ka përmendur edhe reformat që do të duhej të ndodheshin në degët dhe nëndegët e saja, që sipas tij është testi që aktualisht partia e Lumir Abdixhikut do të duhej të bënte pasi ende nuk ka të dhëna të sakta as për numrin e anëtarëve të saj.

LDK-ja është në fillimet e saja drejt një partie që pretendon të reformohet, me sjell energji të re sado që duket mision kogja i vështirë dhe i pamundshëm për skeptikët. Mirëpo, është në drejtimin që pretendon të paktën ta bëj një riformim komplet të saj si strukturë. Tani testi LDK-së është reforma në struktura të saja në nëndegë dhe degë të saja. Një subjekt politik i cili nuk e din sa është numri i anëtarësisë së saj dhe cilat janë degët dhe nëndegët, patjetër që tregon shumë edhe për mënyrën e organizimit për mënyrën e strukturës dhe shtrirjes së saj”, tha Alija.

Emërimi i figurave të reja, distancimi nga figurat e vjetra dhe reforma në nëndegët e saja, do të duhej të ishin reformat e radhës që sipas Alijajt do të duhej të bëheshin tani brenda LDK-së.

LDK-së i duhen edhe më tutje figura që mbi të gjitha kanë identitet dhe profil dhe mbi të gjitha LDK-ja ngadalë e jo në mënyrë të menjëhershme të vendos që t’i lë jashtë figurat e vjetra, pa çka si duket është e dhimbshme dhe e vështirë. Mirëpo duhet ta bëj atë ndarjen e ngadalshme nga figurat e vjetra përfundimisht. LDK-ja ka nevojë për një frymë e strukturë ndryshe, mbi të gjitha ka nevojë për reformë të thellë dhe nëndegë të saj”, u shpreh ai.

Distanca dhe mospërfillja me strukturat e LDK-së në diasporë, ka bërë që partia e kryeministrit, Albin Kurti, Vetëvendosje të arrijë të fitojë besimin e një shumice të madhe.

“Dhe mbi të gjitha, sado që duket e pamundshme LDK-ja duhet ta rikthej bashkëpunimin me diasporën. Sepse ka qenë LDK-ja si parti e parë në diasporë që i ka pasur aktivitetet e veta edhe pse shumicën e degëve dhe nëndegëve në diasporë duket ato i ka marrë Vetëvendosje, e cila e ka shfrytëzuar vakuumin e distancës së LDK-së me ato struktura”, theksoi njohësi rrethanave politike.

Ai ka përmendur edhe largimin nga strukturat e kësaj partie, tani ministren e Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvallën.

“LDK-ja duhet të punojë shumë edhe në pjesën e strukturave të saj në diasporë. Rastin më të mirë e kemi tani ministres e Jashtme, Donika Gërvalla e cila dikur ka qenë pjesë e strukturës së LDK-së dhe pas konfrontimeve ka arritur me dalë në një subjekt tjetër politik dhe tashmë e mbanë edhe postin e ministres”, shtoi ai.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK-ja arriti të dalë partia e tretë me 13.08 % apo 102 mijë e 616 vota, derisa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kjo parti ishte renditur e dyta me 24,54% apo 206 mijë e 516 vota.

Në rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet e fundit sipas njohësve të rrethanave në vend, ka ndikuar edhe tërheqja e disa prej anëtarëve të kësaj partie në krye me presidenten Vjosa Osmanin e cila u shkarkua nga të gjitha pozitat partiake pasi kritikoi prishjen e koalicionit me partinë e kryeministrit Albin Kurtit, Vetëvendosjen.

Ata përmes iniciativës politike “Guxo” iu bashkuan listës së kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje duke arritur kështu të hyjnë në Kuvendin e Kosovës dhe të drejtojnë dikastere të rëndësishme.

Osmani po ashtu në zgjedhjet e fundit doli kandidatja më e votuar në Kosovë, duke fituar mbi 300 mijë vota./Syri Kosova/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco