Kush do t’i nënshtrohet Vettingut?

Kush do t’i nënshtrohet Vettingut?

11:00, 05/05/2021

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vendosur prioritet procesin e Vettingut për të cilin shpreson se do ta përfundoj brenda mandatit të dytë qeverisës.

Haxhiu në një intervistë për Klan kosova, nuk e ka mohuar mundësinë që mund të bëhen ndryshime kushtetuese për ta realizuar këtë proces.

“Grupi punues pas përfundimit të koncept dokumentit do të dalë me përfundime. Nëse shkohet me ndryshime kushtetuese, atëherë për shkak të vështirësive në kalimin e amendamentit duhet të ketë edhe plan B”, u shpreh Haxhiu.

Drejtuesja e dikasterit të drejtësisë në ekzekutiv ka thënë se të parët që do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit do të jenë prokurorët dhe gjyqtarët e niveleve më të larta.

“Synimet tona janë që të nisim me nivelet e larta hierarkike dhe të vazhdohet tek nivelet më të ulëta të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Grupi punues do ta përcaktojë nëse duhet të verifikohet edhe stafi mbështetës i prokurorëve dhe gjyqtarëve”, tha ministrja Haxhiu.

Haxhiu ka bërë gjithashtu të ditur se gjatë ditës së sotme do të themelohet grupi punues për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ministrja ka treguar se si do të bëhet konfiskimi i pasurisë që s’mund të justifikohet në procedurë civile dhe detaje të tjera lidhur me këtë proces.

“Ende jemi në fillesa të diskutimeve. Ajo që dihet me siguri është që barra e provës do të vendoset tek personi i dyshuar dhe po ashtu ideja fillestare është që të themelohet një mekanizëm i veçantë i cili do të ketë për detyrë vlerësimin e pasurisë dhe në rastet e vërtetimit se pasuria nuk është krijuar nga të ardhurat e ligjshme e procedon lëndën në gjykatë”, tha Haxhiu

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco