Skandaloze/Zyrtari kryesor për mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave anti-Covid, bëhet shkelës i tyre

Skandaloze/Zyrtari kryesor për mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave anti-Covid, bëhet shkelës i tyre

18:20, 24/11/2020 Nga B.A.

Kryeinspektori Sanitar, i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku, që është zyrtari kryesor në mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave anti-Covid-19 dhe gjobit qytetarët e bizneset për mos respektim të masave, ka thyer vet rregullat që janë vendosur nga Qeveria e Kosovës për ta luftuar pandeminë, shkruan Syri.net Kosova

Më 15.11.2020, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka publikuar një fotografi në rrjetin social Facebook, ku shihen shumë zyrtarë të lartë shtetëror, kryetar komunash, deputetë, por edhe zyrtari kryesor mbikëqyrës dhe zbatues ndaj masave anti-Covid, që gjobit të gjithë qytetarët dhe bizneset, sikur është kryeinspektori sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku.

Në këtë fotografi të publikuar janë më shumë se 70 persona që nuk kanë as maska dhe as distancë në mes veti.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ligjërisht funksionon nën përgjegjësinë e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Për këtë skandal, Syri.net Kosova ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit për ta marrë një sqarim dhe ka pyetur se a do të ndërmerren masa ndaj veprimeve skandaloze të Tërshnjakut.

Por, deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit.

Bazuar në vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-Covid, ndalohet grumbullimi i më shumë se pesë personave edhe në ambiente të hapura.

Deri më tani kryeministri, Avdullah Hoti, nuk ka ndërmarr asnjë veprim ndaj shkeljes serioze që i ka bërë Tërshnjaku.

Në faqen e internetit të Zyrës së Kryeministrit, janë katër agjenci që janë nën mbikëqyrjen e shefit të ekzekutivit.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është Agjenci Ekzekutive, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ushtron funksionet dhe përgjegjësit e saj të përcaktuara me Ligjin Nr. 03/L-016 për Ushqimin dhe Rregulloren nr.03/2010 për organizimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (17.09.2010)”, thuhet në faqen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Ehat Miftaraj që është drejtor ekzekutiv në Institutin Kosovar për Drejtësi, thotë se zyrtarët e shtetit po vazhdojnë me shkeljen e masave anti-Covid dhe janë shembulli më i keq për shoqërinë.

“IKD gjatë ditës ka publikuar reagimin lidhur me shkeljen e masave kundër pandemisë COVID-19 nga ana e qeveritarëve përfshirë kryeministrin Hoti, ministrin Veliu dhe politikanë tjerë në fushatën zgjedhore në Podujevë.  Për më tepër reagimi i institucioneve ligj-zbatuesve ndaj këtyre zyrtarëve publik pothuajse nuk ekziston fare, duke zbatuar ligjin dhe masat në mënyrë selektive dhe atë vetëm ndaj qytetarëve të thjeshtë.  Përderisa, zyrtarët e lartë publik do të duhej të ishin shembull për zbatimin e ligjit dhe masave kundër COVID-19, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me këto obligime ligjore, duke përgjuar mesazhin më të keq tek qytetaret”, ka thënë Miftaraj për Syri.net Kosova.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco