Skandali/ Kompania që do marrë Butrintin me koncesion deklaron vetëm 1692 paund në llogari dhe 2 të punësuar

Skandali/ Kompania që do marrë Butrintin me koncesion deklaron vetëm 1692 paund në llogari dhe 2 të punësuar

18:39, 12/09/2020

Parku Kombëtar i Butrintit do të jepet me koncesion 10- vjeçar. Përvijëzimi i një ‘dorëzimi’ të qeverisë shqiptare të një prej pasurive më të mëdha që ka Shqipëria nisi 1 vit më parë ku në kuadër të ligjit për Trashëgiminë Kulturore edhe Muzetë, Ministria e Kulturës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan prezantuan planin e menaxhimit të integruar për Parkun e Butrintit.

Ndërsa sot Shqipëria është në mes të një krize ekonomike dhe sociale për shkak të pandemisë që shkaktoi COVID 19 qeveria shqiptare nuk ka vonuar të japë me koncesion një nga sitet arkeologjike dhe historike me vlerë të jashtëzakonshme një kompanie angleze ‘Prince+Pearce’ e cila tashmë e ka shpallur në ëebsiten e vet kontratën e lidhur ku citojmë se thuhet:

“Që nga Tetori 2018 ( P + P) ka punuar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, për të përgatitur Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit. P + P po udhëheq një ekip ekspertësh në fushat e arkeologjisë Greko-Romake, historisë natyrore dhe biodiversitetit, turizmit dhe infrastrukturës, menaxhimit të trashëgimisë kulturore, planifikimit të biznesit dhe operacionit, muzeologjisë dhe interpretimit”.

Sipas publikimeve të kësaj kompanie, rezulton se kjo e fundit ka qenë duke punuar me Fondin Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrinë e Kulturës që në kohën kur ligji për trashëgiminë kulturore u miratua dhe po mendohej Butrinti si pikënisja e zbatimit të planit të menaxhimit. Por në fakt pas kërkimeve të faxweb.al, përpos mënyrës së si është përzgjedhur kjo kompani e cila në asnjë moment nuk është përmendur nga autoritetet, janë kapacitetet e saj për të menaxhuar dhe investuar në një park me përmasat dhe rëndësinë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Sipas të dhënave të opencorporates.com, Prince and Pearce’ zotërohet nga David Robert Prince dhe Simon Francis James Pearce, shtetas anglezë, ndërsa të dhënat e tyre financiare janë updatuar së fundmi në gusht të vitit 2016.

Dhe këtu nis pjesa më interesante e historisë: Po sipas opencorporates.com kompania angleze e cila ka ndërruar emër 2 herë, në fund të gushtit 2016 ka pasur në llogari bankare vetëm £1,692.

Gjithashtu pas disa denoncimeve të mbërritura në redaksinë e Faxweb.al dhe pas verifikimeve kjo kompani në vitin 2016 ka xhiruar rreth 20 mijë paund ndërsa rezulton se ka të punësuar vetëm 2 punonjës në kompaninë e cila ka marrë përsipër të menaxhojë parkun arkeologjik më të madh në Ballkan.

Ende nuk është e qartë se si kjo kompani nga 2016 bëri një kapërcim ‘magjik’ në 2018-n duke u shdnërruar në një partner të besueshëm për sytë e qeverisë tonë e cila tashmë i ka lënë në duar Parkun e Butrintit.

Sipas shifrave të 2 viteve të kaluar llogaritet se Butrintin e vizituan rreth 300 mijë turistë në vit. Duke bërë një llogari të thjeshtë sipas çmimit të biletës rreth 10 mijë lekë të vjetra, të ardhurat janë lehtësisht të llogaritshme. Por sipas burimeve të faxweb.al kompania fituese ka përllogaritur të ketë një fitim rreth 5 milion euro (gjithmonë nëse zotëruesit i vërtetë të një koncesioni të tillë janë 2 zotërinjtë e moshuar anglezë).

Dhënia me koncesion e Butrintit, ndonëse kaloi pa u vënë re për shkak të zhurmës së madhe që ngrenë jo pa qëllim aktorët politik si dhe situatës shqetësuese të COVID 19, është kundërshtuar dhe nga studiues apo profesionistë të fushës.

Një ditë më parë Auron Tare e cilësoi të papranueshëm vendimin e qeverisë për të dhënë me koncesion tek te huajt për 10 vjet Parkun e Butrintit, precedent i pandodhur asnjëherë më parë në Evropë.

“Situata në 10-vjeçarin e fundit në Butrint lë për të dëshiruar, si situata e vizitorëve dhe ekspeditat arkeologjike, shkolla e restaurimit e cila nuk është më. Megjithatë do të thosha me gjithë këtë situatën që ka trashëgimia kulturore në Shqipëri, Butrinti i qëndroi, i rezistoi. Në asnjë mënyrë nuk mund t’i jepet një fondacioni të huaj për menaxhim.

Nëse kjo do të ndodhë, atëherë ne do të mund të kemi shumë mirë një fondacion grek që mund të marrë Gjirokastrën, Tepelenën, apo Krujën. PPP në trashëgiminë kulturore është shumë e rrezikshme. Nuk mund t’u jepen të huajve. Nuk kemi një model tjetër në Europë. Ose do të pranojmë që Butrinti ka falimentuar, dhe i jepet një pale të huaj.

Ose themi që Butrinti është i suksesshëm, dhe nëpërmjet një fondacioni të mblidhen të gjithë ekspertët më të mirë shqiptarë. Por duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund ta dorëzosh trashëgiminë tënde te një i huaj’, tha ai për Ora News.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco