A keni pronë të dhënë me qira apo Airbnb? ATK-ja me njoftim të rëndësishëm për qytetarët

A keni pronë të dhënë me qira apo Airbnb? ATK-ja me njoftim të rëndësishëm për qytetarët

12:48, 14/07/2026

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, duke përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

ATK-ja thekson se në kuadër të aktiviteteve të saj për identifikimin e ekonomisë joformale, ka analizuar të dhënat dhe informacionet që disponon dhe ka konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK, nuk kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.

Për këtë arsye, ATK-ja u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

U pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;

Deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe

Paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

ATK-ja rikujton se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave.

Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK-ja do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë:

Regjistrimin sipas detyrës zyrtare, kur plotësohen kushtet ligjore;

Vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet, të dhënat dhe provat që disponon;

Ngarkimin e interesave dhe gjobave; si dhe

Ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.

ATK-ja thekson se mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Tutje bëhet e ditur se për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco