Bien investimet kapitale, shtohen shpenzimet për paga dhe shtesa

Bien investimet kapitale, shtohen shpenzimet për paga dhe shtesa

10:18, 03/06/2026

Paga e shtesa me rritje të ndjeshme, investimet mbesin prapa në tremujorin e parë të vitit 2026

Shpenzimet për paga dhe shtesa në sektorin publik kanë shënuar rritje të konsiderueshme gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, ndërsa investimet kapitale vazhdojnë të mbeten në nivele të ulëta.

Sipas raportit tremujor të ekzekutimit të buxhetit, për paga dhe shtesa janë shpenzuar 298.33 milionë euro, duke arritur në 30 për qind të buxhetit vjetor të paraparë për këtë kategori.

Raporti thekson se këto shpenzime janë rritur për 36 për qind, ose 78.78 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025. Rritja lidhet me zbatimin e Ligjit për Pagat e Zyrtarëve Publikë, ndryshimin e koeficientit sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore 2026, si dhe pagesën e pagës së 13-të bazuar në vendimin e Qeverisë.

Rritje është shënuar edhe në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Gjatë tremujorit të parë janë shpenzuar 55.37 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, duke arritur normën e ekzekutimit prej 13 për qind të buxhetit vjetor. Krahasuar me vitin 2025, kjo kategori ka regjistruar rritje prej 22 për qind.

Në anën tjetër, shpenzimet për mallra dhe shërbime, përfshirë edhe shërbimet komunale, kanë pësuar rënie. Për këtë kategori janë shpenzuar 11.69 milionë euro më pak, duke arritur vetëm 14 për qind të buxhetit vjetor të planifikuar.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shpenzimet për mallra dhe shërbime kanë shënuar ulje prej 12 për qind, duke reflektuar një ritëm më të ngadalshëm të shpenzimeve operative të institucioneve publike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco