Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon sa i përket produkteve ushqimore. Kështu thotë raporti i fundit i Eurostat, sipas të cilit vendi ynë renditet i pari sa i përket indeksit të çmimeve ushqimore, duke lënë pas Serbinë, Bosnjën apo Malin e Zi. Nga ana tjetër, vendi ynë renditet në vendin e parafundit në rajon sa i përket treguesit të ardhurave për frymë.
Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë më shumë se të gjithë qytetarët e vendeve të rajonit, për të blerë produktet ushqimore. Sipas një raporti të fundit të Eurostat mbi indeksin e çmimeve, në vitin 2024, Shqipëria zinte vendin e parë në rajon për nivel të lartë të çmimeve në krahasim me mesataren e BE-së, 62.9%. Vendi ynë lë pas Serbinë me 61.4%, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi me 57.9%, Maqedoninë e Veriut me 49.6% dhe duke u afruar me Kroacinë që e ka indeksin e çmimeve në nivelin e 73.3%. Në vitin 2022, Serbia kishte mesataren më të lartë të çmimeve në krahasim me BE-në. Diferenca e çmimeve në vendin tonë me BE-në, mbetet ende në distancë, ose 37% më të ulëta se mesatarja në vendet e unionit, por kjo shifër po vijon të ulet me shpejtësi. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, niveli mesatar i çmimeve në vendin tonë ishte sa 62.9% e mesatares së BE-së, nga 58.2% që ishte ky nivel më 2023 dhe 54.6% në vitin 2022. Vetëm në dy vite, Shqipëria ka ngushtuar hendekun e çmimeve me mesataren e BE-së me 8.3 pikë. Në të dhënat e fundit të Eurostat mbi çmimet në vendin tonë, ndikon edhe forcimi i monedhës vendase, krahasuar me Euron, duke u mbiçmuar me 15%, duke qenë se produktet ushqimore blihen me monedhën e përbashkët, pasi kjo rrit nivelin relativ të çmimeve.
Edhe pse inflacioni në vend ra përgjatë periudhës 2023-2024, sërish ai mbeti mbi objektivin sa i përket ushqimeve dhe shërbimeve të ndërmjetme. Por edhe pse çmimet e ushqimeve në vendin tonë rezultojnë më të lartat në rajon, të ardhurat për frymë janë me nivelin më të ulët. Në një tjetër raport të Eurostat, bëhet e ditur se në vendin tonë konsumi individual për frymë (AIC), një tregues alternativ që mat më mirë mirëqenien e familjeve, ishte sa 41% e mesatares së bashkimit Europian në 2024-n, i pandryshuar në krahasim me vitin 2023. Në këtë nivel, Shqipëria renditet e fundit në Europë, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, po me 41%. Në rajon, të ardhurat më të larta sipas fuqisë blerëse janë në Mal të Zi, me 68% të mesatares së BE-së, ndërsa në vend të dytë është Serbia, me 56%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut në 49%. Edhe pse popullsia e Shqipërisë vijon të ulet, për shkak të largimeve masive, në treguesin e të ardhurave për frymë, vendi ynë renditet i parafundit në rajon, me 35% të mesatares së BE-së, në përmirësim nga 37% një vit më parë, duke u ngjitur e parafundit në rajon, teksa lë pas Bosnjë-Hercegovinën.
© SYRI.net