Ndërprerja e prodhimit në Ferronikel, rreth 1 000 punëtorë mbesin pa të ardhura

Ndërprerja e prodhimit në Ferronikel, rreth 1 000 punëtorë mbesin pa të ardhura

15:17, 14/10/2021

Ka disa muaj që NewCo Ferronikeli L.L.C është duke kaluar nëpër një kohë të vështirë për shkak të krizës së çmimit të energjisë elektrike në Evropë, që është katërfishuar nga muaji janar i këtij viti. Kjo krizë e prek pashmangshëm edhe ndërmarrjen NewCo Ferronikeli L.L.C si konsumator të madh të energjisë, duke e bërë të papërballueshëm operimin dhe duke e detyruar menaxhmentin të marr vendim për ndaljen e prodhimit nga data 8 tetor 2021.

Rreth 1 mijë punëtorë nga nëntori do të mesin pa të ardhura pasi që NewCo Ferronikeli L.L.C garanton se do të vazhdojë t’i paguajë vetëm edhe për muajin tetor të gjithë punonjësit me 50 % të pagës së tyre mujore. Kjo është mundësia e vetme të cilën mund ta ofrojë aktualisht menaxhmenti duke pasur parasysh situatën financiare.

Punëtorëve u është ofruar një aneks kontratë për ta nënshkruar sa më parë, mirëpo sipas informacioneve që ka IndeksOnline shumica prej tyre ende nuk e kanë nënshkruar.

IndeksOnline ka kontaktuar sot edhe me Kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Ferronikelit, Fehmi Nika, i cili ka thënë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Qeveria për situatën e krijuar.

“Kemi bërë kërkesë për mu taku me zyrtarët qeveritar për t’ua shpreh situatën e krijuar, mirëpo deri më tani nuk na kanë kthyer përgjigje. Punëtorëve u është ofruar një aneks kontratë nga menaxhmenti për 50 % të pagës për muajin tetor mirëpo shumica prej tyre nuk dëshirojnë ta nënshkruajnë”, ka thënë Nika.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë datë se kur do të rinisë prodhimi dhe se nga nëntori punëtorët e Feronikelit do të mesin pa të ardhura.

Nika ka kërkuar të merren masa urgjente për të gjetur një zgjidhje sepse vërtetë do të jetë problem i madh për shumë familje.


Ndërkohë zyrtarë të NewCo Ferronikeli LL.C kanë njoftuar se do të bashkëpunojë edhe më tej me Institucionet e Kosovës dhe do të jenë në kërkim të zgjidhjeve sa më të shpejta për rinisjen e prodhimit dhe tejkalimin e krizës që e ka imponuar vendimin e padëshiruar.

Ndërsa dje kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bashkë me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë zhvilluar takim me Sindikatën e Pavarur të Punëtorëve të kompanisë “Ferronikeli”.

Në këtë takim, të mbajtur në Drenas, përfaqësuesit e kësaj sindikate shprehën shqetësimin për ndërprerjen e plotë të prodhimit të këtij gjiganti metalurgjik, si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe neglizhencës së Qeverisë për t’u përballur me këtë krizë energjetike, gjë që i ka vënë në situatë të pasigurisë rreth 1000 punëtorë të punësuar aty dhe rreth 1500 punëtorë tjerë të punësuar indirekt.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me neglizhencën e Qeverisë ndaj kësaj çështjeje dhe paaftësisë së saj për të vepruar shpejtë, që reflektoi me ndërprerjen e punës së “Ferronikelit”.

“Mijëra punëtorë të “Ferronikelit”, janë në pritje të gjetjes së zgjidhjes sa më të shpejtë për rifillimin e punës së fabrikës. Është përgjegjësi e Qeverise që të gjej zgjidhje për punëtorët që varen nga puna e “Ferronikelit””, tha Krasniqi.

Në takim, përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të kompanisë “Ferronikeli” kërkuan nga PDK, si lidere e opozitës, që çështja e tyre të trajtohet edhe ne nivelin qendror.

Krasniqi tha se PDK do ta trajtojë këtë çështje si interes i veçantë,  jo vetëm për punëtorët, por edhe përkrahjen e veprimtarisë prodhuese, për eksportuesin më të madh të Republikës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco