A pritet të preket edhe Kosova nga rritja e çmimit për energji?

A pritet të preket edhe Kosova nga rritja e çmimit për energji?

17:37, 07/10/2021

Një krizë energjetike po prek pothuajse çdo pjesë të globit, e shënuar nga çmimet rekord të larta të energjisë, furnizimet e ngushta dhe ndërprerjet e energjisë. 

Disa vende në botë janë përpjekur të mbajnë sistemet e tyre të energjisë elektrike të qëndrueshme. 

Kriza energjetike ka filluar të prek edhe shtetet e rajonit. Mirëpo, institucionet energjetike në Kosovë nuk kanë paralajmëruar mundësi të rritjes së çmimit të energjisë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha për Demokracia.com se kanë bërë të gjitha përgatitjet që të kalohet stina e dimrit me sa më pak probleme.

“Sigurisht, janë ndërmarrë masat preventive dhe janë bërë investime të fuqishme anekënd vendit, në mënyrë që të krijohen parakushtet për ofrimin e shërbimeve sa më kualitative. Natyrisht, në vazhdën e tyre, janë faktorë tjerë që nuk janë në dorën tonë. Aty hyjnë edhe prodhimi vendor i energjisë elektrike dhe importi, si faktorë që e mbulojnë kërkesën në rritje, sidomos pas ftohjes së kohës”, ka thënë Buzhala.

Ai tha më tej se Kosova është pjesë e tregut të berza, dhe sipas tij çmimet e berza janë të larta.

“Çmimet aktuale në berza janë në stratosferë, pra shumë të larta. Natyrisht, ato çmime kanë ndikim direkt edhe në Kosovë, pasi edhe ne jemi pjesë e këtij tregu. Por, çka të ndodhë gjatë dimrit, ne nuk mund të spekulojmë. Kjo, pasi konsumi varet shumë edhe nga moti, pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve po ngrohen me energji elektrike”, ka thënë Buzhala.

Sipas tij, në Kosovë ekziston një zinxhir i kompanive elektro-energjetike dhe secila hallkë ka një funksion të caktuar dhe jetik për funksionimin e të gjithë këtij zinxhiri.

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë kanë nisur reagimet lidhur me një shtrenjtim të energjisë elektrike që nuk do të ishte i përballueshëm. Subjektet ekonomike atje kanë thënë se kriza botërore do të godasë standardin e qytetarëve, ndërsa kanë paralajmëruar rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, në masën mes 40 dhe 50 për qind.

Ndërsa përballë paralajmërimeve për një rritje globale të çmimit të energjisë elektrike, Greqia, Franca dhe Spanja bëjnë thirrje për një përgjigje të koordinuar për të mbrojtur qytetarët më të varfër, konkurrencën e kompanive dhe për të mbrojtur planin e Evropës për të ndaluar emetimin e CO2 deri në vitin 2050.

Çmimet e gazit në Bashkimin Evropian u rritën në nivelet më të larta më 1 tetor pasi furnizuesi kryesor i gazit Rusia mbajti të bllokuar një pjesë të dërgesës, duke sinjalizuar presione të mëtejshme të çmimeve ndaj konsumatorëve evropianë për më shumë kur shkojmë në sezonin e dimrit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco