A pritet që kriza globale e naftës të godas edhe Kosovën?

A pritet që kriza globale e naftës të godas edhe Kosovën?

18:18, 06/10/2021

Çmimi i qymyrit, karbonit dhe gazit në Evropë, ka arritur nivele rekord, pasi çmimi i naftës shkoi në mbi 80 dollarë apo rreth 70 euro për fuçi, duke treguar shenja se bota po shkon drejt një krize të energjisë. 

Britania e Madhe është duke u përballur me krizën të naftës. Edhe shtetet e rajonit kanë raportuar se tani më janë duke u përfshirë nga kjo krizë. 

Shqipëri ka njoftuar se ka filluar rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës. 

Mirëpo kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë për Demokracia.com, kriza e naftës nuk e ka prekur Kosovën dhe sipas tij, qytetarët nuk duhet të shqetësohen.

Berjani tha për Demokraica.com se sa i përket çmimeve, i përcakton Berza dhe organizatat prodhuese OPEC. Organizatat prodhuese OPEC janë ndërmarrësit më të mëdhenj të derivateve të naftës.

“Te ne reflekton Berza. Te ne çmimi është rrit që një kohë të gjatë me shumicë, ndërsa me pakicë nuk ka ndryshime. Jemi për momentin më të lirët në regjion, çmimi sot sillet 1,12 euro deri 1,20 euro për një litër naftë, ndërsa benzina sillet 1,16 euro deri 1,25 euro. Do të thotë që çmimet variojnë, pra oferta dhe kërkesa janë duke e bërë çmimin. Pra ka pika të karburantit që e kanë çmimin 1,12 euro dhe ne jemi shteti me çmimin më të ulët në rajon. Shqipëri Shqipëria sot e ka një litër dizel 1,50 ndërsa një litër, ndërsa 1 litër benzin e ka 1,55 euro”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me derivate me çmimin më të ulët në rajon përveç Maqedonia e Veriut e cila e ka akcizën 0,22 euro më të lirë se Kosova.

“Sa i përket Shqipërisë, mendoj që kriza e naftës është bërë më shumë meditike, te ne në Kosovë nuk ka nevojë për panik, çmimet normal që do të rriten, kur të rritet edhe berza. Por kujtojmë se çmimet te ne kanë qenë më të lirat edhe në kohë pandemie. Edhe në këtë krizë globale, e cila është duke u shfaqur ditët e fundit mendoj që qytetarët janë duke u shërbyer me çmime më të lira”, tha Berjani për Demokracia.com.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se shteti është duke u prekur nga kriza ndërkombëtare e energjisë, e cila parashikohet të diktojë rritjen e çmimeve të elektricitetit dhe karburanteve deri në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Rritja e çmimeve është vënë re për të gjitha llojet e karburanteve. Në pikat e tregtimit të karburanteve nafta dhe benzina po shiten me rreth 8 lekë më shumë se një javë më parë. Çmimi për një litër naftë ka arritur  në 177 lekë, apo 1,45 euro nga 161 lekë apo 1,32 euro sa ishte pak ditë më parë, teksa një litër benzinë është 179 lekë apo 1,47 euro.

Ditë më parë në Maqedoninë e Veriut me vendim të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), çmimet e derivateve kanë pësuar ulje. Benzinë për motorë EUROSUPER BS-95, shitet për 72,00 (dinarë/litër) apo 1,17 euro; benzinë për motorë EUROSUPER BS -98 shitet për 74,00 (dinarë/litër) apo 1,20 euro; Naftë për motorë EURODIZEL BS (D-E V) 63,00 (dinarë/litër) apo 1,02 euro; Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 65,00 (dinarë/litër) apo 1,05 euro.

Ndërsa, çmimet e gazit natyror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën në mbi 6 dollarë për milion njësi termike britanike, çmimi i tyre më i lartë në shtatë vjet.

Kjo rritje vjen mes furnizimit të kufizuar dhe konkurrencës në rritje midis Evropës dhe Kinës, që i ka rritur çmimet e gazit në nivele rekord javët e fundit.

Qeveria britanike ka thënë të premten se shumë stacione të naftës kanë qenë të zbrazura më 1 tetor, si pasojë e një jave kaotike, meqë banorët kanë qenë në panik dhe janë përleshur nëpër pompa për të mbushur shishet e ujit me karburante.

Ministrat britanikë kanë insistuar disa herë gjatë javës se kriza ka kaluar, mirëpo shitësit në më shumë se 2 mijë pika të shitjes, kanë thënë se kanë mbetur pa karburante dhe disa prej pikave janë mbyllur. Qeveria ka thënë se personeli ushtarak është duke kryer trajnimet e nevojshme për ta zbutur krizën.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco