Si do të ndahen shtesat për lehonat dhe fëmijët?

Si do të ndahen shtesat për lehonat dhe fëmijët?

23:40, 02/09/2021

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndarë 7 milionë euro për gratë lehona dhe shtesa për fëmijët. Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për Demokracia.com thonë se janë në fazën përfundimtare të operacionalizimit të kësaj mase të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, mirëpo nuk kanë treguar detaje të tjera se si do të ndahen këto mjete edhe për fëmijët deri në moshën 16 vjeçare.

Ministria e Financave, Punës dhe Transferve në një përgjigje për Demokracia.com thonë se pagesa për ndarjen e mjeteve për lehonat është në fazën përfundimtare.

“Sa i përket ndarjes së mjeteve për pagesën e grave lehona, Ministria e Financave, Punës dhe Transferve është në fazën përfundimtare të operacionalizimit të kësaj mase të Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe duke finalizuar kushtet dhe kriteret, të cilat do të ndahen me publikun së shpejti, duke përfshirë detajet për të cilat keni pyetur”, thuhet në përgjigjen e MFPT-së.

Edhe pse janë pyetur, nga MFPT nuk kanë treguar detaje të tjera për mënyrën e ndarjes së mjeteve për gratë lehona që përfitojnë nga kjo masë.

“Kjo masë është një ndër prioritetet e Qeverisë që ka për qëllim fuqizimin e grave, veçanërisht në tregun e punës, prandaj MFPT do të ndajë sa më parë detajet në mënyrë që ato të ndahen me qytetarët dhe gratë lehona të përfitojnë nga kjo masë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Po ashtu në përgjigjen e ministrisë nuk specifikohet se si do të ndahen këto mjete edhe për fëmijët deri në moshën 16 vjeçare.

Nga ana tjetër në vendimin e qeverisë thuhet se me propozimin  e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është aprovuar vendimi për aprovimin e ndryshimeve për regjistrat kontabël të harmonizuara me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Vendimi do të rregullojë ndarjet buxhetore të ministrive të prekura nga procesi i ristrukturimit të Qeverisë dhe do të rregullojë edhe raportimin e shpenzimeve buxhetore.

“Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr.13/19 të datës 14.07.2021 i miratuar në mbledhjen e sotme ndryshon titullin e masës 3.5 në “Pagesa për Lehonat dhe Shtesat për Fëmijë- 7 mil EUR”, thuhet në vendimin e qeverisë të 25 gushtit.

Kujtojmë se Qeveria ka bërë plotësim-ndryshimin, i cili ndryshon titullin e Masës 3.5 në “Masa 3.5 – Pagesa për Lehonat dhe Shtesat e Fëmijëve – 7 Milionë euro”.

“Ky ndryshim është në funksion të përmbushjes së njërës nga Prioritet e Qeverisë në cilën parashihen shtesat e fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare, implementimi i së cilës do të bëhet në mënyrë graduale”.

Ky plotësim-ndryshim, parasheh përfshirjen edhe të lehonave të punësuara krahas atyre të papunana për mbështetje financiare që do të ofrohet nga Qeveria, me qëllim të fuqizimit të mëtutjeshëm të grave në tregun e punës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco