Enver Hoxhaj ia huq keq, premtimi me kosto 200 milionë euro blof i kandidatit të PDK-së

Enver Hoxhaj ia huq keq, premtimi me kosto 200 milionë euro blof i kandidatit të PDK-së

11:15, 18/01/2021 Nga Dardan Gashi

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, së bashku me kandidatin për deputet nga kjo parti, Bedri Hamza, kanë bërë prezantimin e pakos së PDK-së për Rimëkëmbje Ekonomike, ku kanë bërë të ditur planin për punëtorët e sektorit privat dhe publik.

Në planin për rimëkëmbje, PDK parasheh rritje të pagës minimale nga 170 euro sa është tani, në 300 euro.

Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.

Ndërkohë, rritja e pragut minimal do të nënkuptonte rritje automatike të pensionit të veteranit të luftës nga 170 në pragun minimal të përcaktuar nga shteti, e i cili vazhdon të mbetet i pandryshuar tash e sa vite.

Kjo do t'i kushtonte buxhetit hiç më pak se rreth 200 milionë euro shtesë, në një kohë  kur  ekonomia e Kosovës pritet që të ketë një rënie ekonomike prej 7.2 për qind, që paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e vendit në 20 vitet e fundit.

Këtë e konfirmoi në fund të vitit 2020 edhe Guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Premtimi i PDK-së, për rritjen e pagës minimale, nuk po shihet si i duhur nga njohësit e ekonomisë në vend.

Profesori i ekonomisë, Bashkim Nurboja, për Syri.net Kosova, thotë se premtimi për ta rritur pagën minimale në 300 euro nga PDK është premtim i zbrazët, këtë tash e din të gjithë.

Sipas tij, këto premtime shihen që nuk janë të nxjerra nga analiza ekonomike, por, vetëm për ta tërhequr ndonjë votë nga dikush që nuk e kupton gënjeshtrën.

“Në rrethanat në të cilat gjendet ekonomia e Kosovës, nuk ka logjik të shtosh barrën sektorit privat me kësi lloj vendimi, sepse kjo do të rritë papunësinë edhe ma shumë, dhe sigurisht do ta rrit ekonomin joformale. Sektori privat për të ulur ngarkesën financiare, në këtë kohë që qarkullimi është i ulët do të largonte nga puna punëtorët që hynë në këtë kategori ose do ti shlyen nga regjistri i të punësuarve në ATK”

Ai shton se duke e shikuar buxhetin e Qeverisë së Kosovës, ku shpenzimet më të mëdha janë në programe sociale, kjo do ta shtonte ngarkesën edhe më tutje, sepse, disa programe të mirëqenies janë të lidhur me pagën minimale.

Nurboja vlerëson se kjo lloj politike, në këtë kohë, nuk propozohet as nga partitë e majta, sepse, dihet që nuk është e përshtatshme.

“ PDK, si parti e deklaruar e djathtë, nuk ka kuptim të del me kësi lloj premtime, se vetëm e dëmtojnë vetën politikisht. Partitë e djathta duhet të fokusohen në programet e tyre që shpërfaqin ideologjinë e tyre, e jo të kërcejnë nga e djathta në të majtë dhe e kundërta”

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, për Syri.net Kosova thotë se në situatën që gjendet Kosova, këto premtime nuk i besojnë as militantët më të mëdhenj partiakë.

Kjo pasi, sipas tij, dihet fare mirë që buxheti është në zvoglim e sipër dhe situata me pandeminë nuk dihet sa do të zgjatë.

 

“Në rend të parë duhet të kuptohet që është kampanjë zgjedhore, dhe lejohet çdo premtim, mirëpo defintivisht në kampanja zgjedhore duhet të ketë pak moral, në këtë kohë pandemie.Derisa kemi rënie ekonomike deri minus 7 përqind, deri sa kemi pandeminë ekonomike dhe sociale të dilet me premtime të tilla, është vërtet diçka utopike, që besoj edhe militantët më të mëdhenjë partiak, nuk do ta besojnë.Dihet fare mirë që buxheti është në zvoglim e sipër, pandemia nuk dihet deri sa zgjat dhe në këtë drejtim të dilet me premtime të tilla të partive politike është diçka që nuk i shërben rritjes së besueshmërisë”

Gërxhaliu, vlerëson se tani është koha kur duhet të fokusohemi në probleme konkrete.

Në këtë drejtim besoj që duhet të ndërrohet qasja e kampanjave zgjedhore, jo vetëm në aspektin teorik dhe retorik, por në aspekt substancial, konkret dhe problemet të identifikohen, ato që e mbajnë peng zhvillimin ekonomik.Prandaj nuk është e rrugës të dilet me pompozitet të tillë

 

 

Ndryshe, Kosova i paguan më pak punonjësit e tyre se në çdo vend tjetër të Europës, sa i takon pagës minimale, që ata janë të detyruar të japin me ligj. Niveli i ulët i saj është dhe një nga arsyet që deklarohet si shkak për tendencën e lartë për emigrim.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco