Paraburgimi më 2010/Ish-guvernatori i BQK-së do të kompensohet mbi 200 mijë €

Paraburgimi më 2010/Ish-guvernatori i BQK-së do të kompensohet mbi 200 mijë €

17:31, 17/11/2020

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën prej 1,953,104.00 euro, për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij.

Një shumë të tillë, ai e kishte kërkuar për shkak të pretendimeve se nga 23 korriku e deri më 23 nëntor 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj atij i ishin shqiptuar edhe masat tjera si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë deri më 16 shkurt të vitit 2011, ku sipas padisë edhe ishte liruar nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Nga shuma totale prej 1,953,104.00 eurove, që ai kishte kërkuar në emër të dëmit material dhe jo material që i ishin shkaktuar me rastin e arrestimit të tij dhe qëndrimit në paraburgim për katër muaj, si dhe masat tjera, me aktgjykimin e 27 tetorit të këtij viti, Rexhepi do të kompensohet nga shteti në shumën prej 204,307.00 euro.

Më këtë aktgjykim, Gjykata pjesërisht e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Rexhepi, ashtu që ka detyruar të paditurën, Republikën e Kosovës – Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që atij në emër të dëmit jo material t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 45,500.00 euro, me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në banka pa destinim të caktuar, duke u përllogaritur nga data e marrjes së aktgjykimit deri në pagesën definitive, kështu duke e refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket dëmit jo material. Gjykata, sipas këtij aktgjykimi, kishte vlerësuar se periudha brenda së cilës palës paditëse i është shkaktuar dëmi moral për shkak të rrënimit të prestigjit, dëmtimit të imazhit dhe reputacionit është periudha prej 172 ditëve.

Po ashtu, Gjykata ia kishte falur besimin ekspertizës psikiatrike ku thuhet se paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore të intensitetit të lartë gjatë periudhës së kufizimit të lirisë për katër muaj, si dhe për periudhën prej 172 ditëve, ku dhimbjet shpirtërore thuhet se kishin qenë të intensitetit të ulët. Ndërsa, sa i përket dëmit material sipas këtij aktgjykimi gjykata ia ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit, duke detyruar të paditurën që në emër të fitimit të humbur nga të ardhurat personale të parealizuara dhe benefitet tjera përcjellëse, duke ia falur besimin ekspertizës financiare me versionin nga periudha kur paditësi është pushuar nga puna më 23 korrik 2010 e deri në skadencën e mandatit të guvernatorit më 26 mars 2013, atij t’ia paguaj shumën prej 109,834.00 euro në emër të pagave neto, ndërsa në emër të kontributit pensional shumën prej 12,864.00 euro, në emër të tatimit në pagë shumën prej 12,204.00 euro, në emër të kursimeve në sigurimin Slloveno-Kosovar, kontributin në shumën prej 15,543.00 euro. Ndërsa gjykata e ka refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket periudhës prej skadimit të mandatit të guvernatorit të BQK-së, prej 26 marsit 2013 e deri më 30 nëntor 2019.Gjithashtu, gjykata i ka aprovuar edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumë prej 3,328.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi gjykata në bazë të provave ka vërtetuar se e paditura me vetë ujdinë e propozuar për barazim gjyqësor të KGJK-së më 8 mars 2012, me të cilën nuk ishte pajtuar pala paditëse, e njëjta ka legjitimitet të plotë që paditësit t’ia kompensoj dëmin material, fitimin e munguar dhe dëmin moral të cilin ai e kishte pësuar për shkak të nënshtrimit të procedurave penale, qëndrimit në paraburgim dhe masave tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco