Z-Mobile i jep Telekomit afat 6 muaj për të paguar borxhin

Z-Mobile i jep Telekomit afat 6 muaj për të paguar borxhin

13:12, 18/10/2020

Gjashtë muaj ka afat Telekomi i Kosovës që ta paguajë borxhin prej afër 23 milionë eurosh që ka ndaj Z-Mobile, përndryshe do të bllokohen xhirollogaritë e Telekomit, sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

Sipas tij, është mbajtur një takim mes Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësuesve të Telekomit dhe atyre të Z-Mobile. Edhe pse s’ka qenë i pranishëm, Balaj thotë se Qeveria dhe Telekomi kanë ofruar 250 mijë euro në muaj si ofertë për marrëveshje, por ka shtuar se kjo s’është pranuar nga Z-Mobile.

“Qysh i kemi informatat, Qeveria i ka ofruar deri 250 mijë euro në muaj, ndërsa përfaqësuesit e Z-Mobile kanë qenë kategorikisht kundër, kanë kërcënuar me bllokimin e xhirollogarive të Telekomit dhe kanë kërkuar që borxhi të paguhet në gjashtë këste”, ka thënë Balaj për KP.

Balaj ka kërkuar nga Qeveria që të merren seriozisht kërkesat e Telekomit.

Borxhi prej mbi 23 milionë eurosh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Takimi e përmendur nga Balaj e kanë konfirmuar Ministria e Ekonomisë dhe përfaqësues të Tlekomit, me qëllim për të gjetur “një zgjidhje të mirë për këtë ndërmarrje”.

Në korrik Telekomit i ishin bllokuar llogaritë nga përmbaruesi privat për shkak të borxhit që kjo ndërmarrje ka si pasojë e rastit të humbur në Gjykatën e Arbitrazhit. Pak pas bllokimit, llogaritë ishin zhbllokuar, me Telekomin që kishte bërë të ditur se marrëveshja për pezullim ishte për afat të pacaktuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco