Tensionet kanë arritur sërish pikën kulmore në zonën e Baks-Rrjollit në Velipojë, ku protesta e banorëve kundër ndërtimit të një resorti turistik ka degjeneruar në përplasje të dhunshme me forcat e policisë.
Gjatë protestës së ditës së shtunë, banorët kanë akuzuar policinë për përdorim të forcës, veçanërisht ndaj grave, ndërsa një prej protestueseve ka përfunduar në spital pas lëndimeve të marra.
Gazetari i SYRI TV, raportoi nga vendngjarja se prej më shumë se 40 ditësh, banorët e Baks-Rrjollit kundërshtojnë një projekt investimi që parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik në atë që ata pretendojnë se është toka e tyre e trashëguar brez pas brezi. Situata u përshkallëzua kur forcat e policisë ndërhynë për të lejuar vijimin e punimeve nga firma ndërtuese, duke çuar në konfrontim fizik me protestuesit.
“Në fakt ka qenë një situatë e tensionuar edhe gjatë ditës së sotme në zonën Baks-Rrjoll të Velipojës aty ku prej mbi 40 ditësh banorët e kësaj zone po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë dhe gjatë pra më shumë se një muaji ka pasur edhe përplasje fizike mes banorëve dhe punonjësve të policisë. Një situatë e tillë është regjistruar edhe gjatë paradites së kësaj të shtune, ku banorët pretendojnë se është ushtruar dhunë edhe ndaj grave të cilat kanë qenë të pranishme në protestë, ndërkohë që ka pasur edhe disa banorë të shoqëruar në furgonët e policisë për t'i dërguar drejt komisariatit të policisë së Shkodrës.
Një situatë e cila në fakt është përsëritur gjatë këtyre ditëve të protestës së banorëve të Baks Rrjollit. Ndërkohë që nga ana tjetër banorët vijojnë të kërkojnë drejtësi pasi pretendojnë se kanë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe po protestojnë në tokat e tyre. Nga ana tjetër firma në zonë vijon me punimet. Vetë banorët kanë kërkuar që të ndalen punimet në zonë dhe pra derisa të merret një vendim nga ana e institucioneve përsa i përket pronësisë së tokës, por pavarësisht kësaj firma ka vijuar me punimet në zonë dhe është detyruar më pas edhe policia që të mbrojë punonjësit e firmës në mënyrë që të mos ketë përplasje me banorët e zonës.
Një nga banorët e zonës, Luçiana Kokaj, një nga banoret pra më aktive të kësaj proteste ka bërë përgjegjës gjatë ditës së sotme prokurorinë e Shkodrës nëse ndodh gjë në zonën e Baks Rrjollit, prandaj ka kërkuar që të hetohet dosja. Është dashur edhe ndërhyrja e ambulancës për të ardhur në zonë për të transportuar një nga banorët e zonës drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, pasi ka marrë lëndime dhe sipas banorëve ka marrë lëndime një nga banorët e zonës si shkak i përplasjes me forcat e policisë dhe para pak minutash ka ardhur edhe mjeti i ambulancës për të transportuar një nga banorët e zonës drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës”, raportoi nga Velipoja gazetari i SYRI TV.
© SYRI.net