‘Shqipëria, parajsa evropiane e parave të pista’, Bozdo: Janë ideuar nga qeveria nën mbulesën e investimeve strategjike

‘Shqipëria, parajsa evropiane e parave të pista’, Bozdo: Janë ideuar nga qeveria nën mbulesën e investimeve strategjike

10:32, 19/06/2026

Deputeti i PD, Eno Bozdo ka ngritur alarmin, se si Shqipëria po kthehehet në parajsën evropiane të parave të pista.

Në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Bozdo tha se një projekt i mirëfilltë politik ka kthyer vendin në ekosistemin më të madh në Evropë për pastrimin e parave të pista, duke fshehur gjithçka pas mbulesës së investimeve strategjike dhe projekteve zhvillimore.

Prej një dekade, theksoi ligjvënësi demokrat, qeveria ka bashkuar forcat me krimin e organizuar, duke lejuar një lumë parash kriminale të diktojë ekonominë.

Partia Demokratike thekson se ky fenomen i pashembullt ka gjetur rrugën e lirë përballë heshtjes së organeve të drejtësisë, pavarësisht skandaleve të panumërta si incineratorët, koncesionet në shëndetësi dhe grabitja e pronave.

Situata ekonomike dhe sociale paraqitet tepër e rëndë, u shpreh ndër të tjera Bozdo, duke shtuar se institucionet shtetërore e justifikojnë rënien e euros me flukset e turizmit, realiteti flet për një kolaps të prodhimit bujqësor dhe industrial.

Përgjatë vetëm një jave, disa qindra milionë euro u janë sekuestruar krimit të organizuar nga Prokuroria Speciale, para këto të investuara që të gjitha në sektorët e ndërtimit dhe turizmit, të cilët, aspak për koincidencë, janë edhe dy sektorët e vetëm ku qeveria e Edi Ramës ka bazuar modelin e saj fals të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Është dashur vetëm një javë për të provuar tashmë, pa asnjë mëdyshje, përpara shqiptarëve se formula qeverisëse e Edi Ramës, prej një dekade, është krimi më i madh kundër interesave të Shqipërisë. Kjo qeverisje është përzierja, me bekimin e tij, e njerëzve politikë të mazhorancës së tij, e bosëve të krimit të organizuar dhe e projekteve ekonomike, të ideuara nën siglën e investimeve strategjike, të paketuara si projekte zhvillimore dhe të financuara nga lumi i pafund i parave kriminale.

Në dhjetë vitet e fundit, ky fenomen, si dhe megakorrupsioni i qeverisë, i provuar me skandale të panumërta, është denoncuar politikisht, në të gjitha format dhe mënyrat, me të gjitha mjetet që ka pasur në dispozicion, nga Partia Demokratike. Njerëzit e saj, deputetët e saj, me sakrifica dhe kosto personale, janë ngritur, kanë folur dhe kanë denoncuar çdo skandal, çdo grabitje, çdo fenomen kriminal. Pjesa më e madhe ka rënë në veshin e shurdhër të organeve të drejtësisë.

Por edhe kaq sa është ekspozuar, mjafton për të thënë se ne kemi pasur shumë të drejtë kur denonconim pastrimin e parave, investimet strategjike, zhbërjen e zonave të mbrojtura dhe paketën e maleve, inceneratorët, koncesionet në shëndetësi dhe infrastrukturë, ushqimet e rrezikshme dhe barnat e falsifikuara, grabitjen e pronave dhe bashkëpunimin e qeverisë me krimin për të vjedhur zgjedhje e për të zhbërë Shqipërinë!

Sepse çfarë po ndodh në Shqipëri në dekadën e fundit është një fenomen i paparë dhe i pahasur, qoftë edhe në përmasa shumë më të vogla, në asnjë nga vendet e ish-bllokut komunist që kaluan tranzicionin midis ekonomisë së centralizuar dhe asaj të tregut.

Sepse nuk është një fenomen ekonomik. Është një fenomen që verifikohet vetëm sepse ka një projekt të mirëfilltë politik për ta kthyer Shqipërinë në ekosistemin më të madh në Evropë që ofron mbështetje institucionale për pastrimin e parave të pista, pa pyetur për koston dërrmuese që po i shkakton ekonomisë, shoqërisë dhe të ardhmes së vendit!

Institucionet përgjegjëse për mbrojtjen ndaj kriminalizimit të ekonomisë, ato që supozohet se janë garantuesit dhe gardianët e interesit ekonomik dhe shoqëror dhe që mbrojnë vendin nga depërtimi i krimit të organizuar, janë në garë me njëra-tjetrën për të justifikuar “pse”-në e rënies drastike të euros. Qeveria dhe Banka e Shqipërisë këndojnë refrenin e flukseve hyrëse nga turizmi; agjencitë e inteligjencës financiare dhe ato kundër pastrimit të parave, inspektorët tatimorë e të tjerë, flasin për normalitet. Po, ka normalitet, por është normaliteti i të keqes së madhe, i një sëmundjeje terminale që ka kapur ekonominë dhe qeverisjen, me bekimin e kësaj të fundit, dhe me simptomat e mëposhtme:

Në vitet e fundit, prodhimi bujqësor dhe ai industrial kanë rënë në pikëtë. Vendi është zbrazur sepse 1/3 e popullsisë e ka braktisur Shqipërinë. Në dy vitet e fundit, 50 mijë shqiptarë lanë vendin, nga të cilët 33 mijë janë të rinj! Ne nuk prodhojmë më, por vetëm konsumojmë. Rritja ekonomike, nëse i besojmë INSTAT-it, bazohet vetëm në sektorët e ndërtimit dhe turizmit, të cilët janë shumë vulnerabël dhe ciklikë, dhe janë tashmë duke u ezauruar. Konkurrueshmëria e eksporteve tona ka rënë në minimumin historik, produktiviteti i punës e rendit Shqipërinë të fundit në rajon dhe në Evropë. Ne prodhojmë 35% më pak në një orë pune nga sa prodhon mesatarisht rajoni dhe 75% më pak nga çfarë prodhon BE-ja. Shqipëria nuk është më një vend normal për të jetuar e ndërtuar familje!

Me pak fjalë, vendi po shpartallohet dhe, sa kohë kjo qeveri të jetë në krye të tij, ajo do të kujdeset jo për të luftuar këto fenomene, por për të bërë alibinë e tyre.

Dhjetëra mijëra shqiptarë tashmë kanë tre javë që protestojnë çdo ditë pikërisht për pasigurinë e pronës, sepse ajo tjetërsohet nga grupet kriminale; për mungesën e rendit dhe ligjit, sepse ato kontrollohen nga krimi i organizuar; për ekonominë që nuk ofron vende pune dinjitoze, sepse aty ka investuar krimi i organizuar.

Dhjetëra mijëra të rinj e të reja, me dinjitet dhe qytetari, e mbi të gjitha me dashuri të pakufishme për Shqipërinë, po protestojnë që vendi nesër të ketë një të ardhme. Mundësisht evropiane, sado e largët që ajo duket nën dritën e zhvillimeve të fundit. Zërin e tyre tashmë po e dëgjon e gjithë Evropa dhe bota, dhe Evropa, më së fundmi, për fat të mirë, po reagon.

Projektit satanik të kriminalizimit të shoqërisë dhe ekonomisë, më së fundmi, i ka ardhur fundi. Çdo qytetar, çdo deputet, pavarësisht bindjeve apo përkatësisë politike që ka, duhet të bashkohet për të reaguar sa nuk është vonë. Shpëtimi nuk do të na vijë nëse, si spektatorë, vetëm komentojmë zhvillimet, por nëse, si qytetarë me ndërgjegje, reagojmë së bashku ndaj të keqes së madhe që ka zaptuar Shqipërinë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco