Një haker ka arritur të depërtojë në dosje që lidhen me hetimin e FBI-së për financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, pas një ndërhyrjeje në zyrën rajonale të FBI në New York rreth tre vite më parë.
Lajmi bëhet i ditur nga një burim i njohur me çështjen dhe nga dokumente të publikuara së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, të cilat janë shqyrtuar nga agjencia Reuters.
Detajet mbi personin që ka hyrë në një server të zyrës së FBI-së në New York, përfshirë dyshimin se bëhet fjalë për një haker të huaj, raportohen për herë të parë.
Në një deklaratë, FBI bëri të ditur se ajo që e përshkroi si një “incident kibernetik” ishte një rast i izoluar.
“FBI kufizoi aksesin e aktorit keqdashës dhe rivendosi funksionimin e rrjetit. Hetimi vazhdon dhe për momentin nuk kemi komente të tjera”, thuhet në reagim.
Sipas burimit, ndërhyrja duket se është kryer nga një kriminel kibernetik dhe jo nga një qeveri e huaj. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se incidenti tregon vlerën e mundshme të këtyre dosjeve për shërbimet e inteligjencës.
Publikimi i detyrueshëm me ligj i dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve ka nxjerrë në pah lidhjet e Epstinit me figura të njohura nga politika, financa, akademia dhe biznesi, duke nxitur hetime në disa vende të botës.
“Cili shërbim inteligjence nuk do të ishte i interesuar për dosjet e Epstinit, nëse je rus apo dikush që kërkon materiale komprometuese?”, tha studiuesi i sigurisë kibernetike Jon Lindsay nga Georgia Institute of Technology. “Do të habitesha nëse agjencitë e inteligjencës së huaja nuk i konsiderojnë seriozisht këto dosje si objektiv.”
Ndërhyrja u raportua fillimisht më 17 shkurt nga CNN dhe Reuters, ndërsa lidhja e saj me materialet e Epstinit u publikua nga revista franceze Marianne.
Epstini, një bashkëpunëtor i hershëm i ish-presidentit amerikan Donald Trump, u deklarua fajtor në vitin 2008 për akuza që lidhen me prostitucionin, përfshirë kërkesën për marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur. Ai u gjet i varur në qelinë e tij në vitin 2019, në një rast që u cilësua vetëvrasje, pasi ishte arrestuar sërish për akuza federale për trafikim seksual të të miturve.
Sipas dokumenteve dhe burimit, ndërhyrja kibernetike ndodhi pasi një server në laboratorin forensik për rastet e shfrytëzimit të fëmijëve në zyrën e FBI-së në Nju Jork u la pa dashje i pambrojtur nga agjenti special Aaron Spivack. Ai po përpiqej të ndiqte procedurat komplekse të byrosë për trajtimin e provave digjitale.
Një kronologji e përpiluar nga Spivak, e përfshirë në paketën e gjerë të dokumenteve të Epstinit të publikuara këtë vit, tregon se ndërhyrja ndodhi më 12 shkurt 2023. Ajo u zbulua një ditë më vonë, kur ai ndezi kompjuterin dhe gjeti një skedar tekst që paralajmëronte se rrjeti ishte komprometuar.
Hetimet zbuluan më pas gjurmë aktiviteti të pazakontë në server, përfshirë kërkime në disa dosje që lidhen me hetimin ndaj Epstinit.
Dokumentet nuk specifikojnë se cilat dosje janë hapur, nëse të dhënat janë shkarkuar apo kush ishte autori i sulmit. Po ashtu nuk dihet nëse materialet e prekura përkojnë me dokumentet e publikuara këtë vit apo me ato që mbeten ende të klasifikuara.
Spivak nuk iu përgjigj kërkesave për koment, ndërsa Reuters nuk arriti të kontaktojë avokatin e tij, Richard J Roberson Jr.. Gjithashtu, shtatë agjentë të FBI-së të përfshirë në hetimin e incidentit nuk iu përgjigjën mesazheve.
Në deklaratën e tij para hetuesve të FBI-së, Spivak tha se po përdorej si “kokë turku” për incidentin dhe se fajin e kishin politikat kontradiktore të byrosë dhe udhëzimet e pasakta në fushën e teknologjisë së informacionit.
Sipas burimit, hakeri që depërtoi në server duket se nuk e kuptoi fillimisht se kishte hyrë në një sistem të një agjencie të zbatimit të ligjit. Ai thuhet se shprehu neveri për praninë e imazheve të abuzimit me fëmijë në pajisje dhe la një mesazh ku kërcënonte se do ta raportonte pronarin te FBI.
Zyrtarët e byrosë arritën ta qetësonin situatën duke e bindur hakerin se ata ishin vërtet FBI-ja. Sipas burimit, kjo u bë edhe përmes një bisede me video, gjatë së cilës ata shfaqën kredencialet zyrtare para kamerës.
Identiteti i hakerit, vendi nga ku operonte dhe çfarë bëri me materialet e aksesuar mbeten të panjohura. Ndërkohë, shumë prej dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë janë publikuar me pjesë të redaktuara, ndërsa disa të tjera mbeten ende sekrete, pavarësisht një ligji që kërkon publikimin e plotë të tyre. Administrata e Donald Trump ka deklaruar se disa materiale mbahen të fshehta për të mbrojtur identitetin e viktimave ose për të mos komprometuar hetimet që janë ende në zhvillim.
© SYRI.net