Çmimi i naftës ka regjistruar rritjen më të madhe brenda një dite në gjashtë vitet e fundit, ndërsa tensionet e lidhura me luftën në Iran vazhdojnë të rrisin pasigurinë në tregjet globale.
Nafta bruto Brent u rrit me më shumë se 20%, duke arritur në 100 dollarë për fuçi. Rritja vjen mes frikës së investitorëve për një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme.
Pasiguria është reflektuar edhe në tregjet e aksioneve në Azi. Indeksi kryesor i bursës së Koresë së Jugut, KOSPI, ra me më shumë se 6% në orët e para të së hënës. Rënia e fortë aktivizoi një mekanizëm emergjent, i cili ndaloi tregtimin për 20 minuta për të frenuar panikun në treg.
Rritja e fundit e naftës vjen pas një kërcimi prej rreth 28% gjatë javës së kaluar, duke shtuar shqetësimet për presione inflacioniste dhe rritje të kostos së jetesës.
Kjo situatë mund të ulë gjithashtu gjasat për ulje të normave të interesit, çka do të thotë se kostot e huamarrjes mund të mbeten të larta për një periudhë më të gjatë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, duke theksuar se rritja e çmimeve është e përkohshme.
“Çmimet e përkohshme të naftës, të cilat do të bien me shpejtësi sapo të përfundojë shkatërrimi i kërcënimit bërthamor të Iranit, janë një çmim shumë i vogël për sigurinë dhe paqen e SHBA-së dhe botës. Vetëm budallenjtë do të mendonin ndryshe,” shkroi Trump.
© SYRI.net