FOTO/ Zbulohet rezidenca luksoze që Jeffrey Epstein tentoi të blinte një ditë para arrestimit në Marok

FOTO/ Zbulohet rezidenca luksoze që Jeffrey Epstein tentoi të blinte një ditë para arrestimit në Marok

09:09, 27/02/2026

Jeffrey Epstein u përpoq të blinte një pallat me vlerë shumë milionë dollarë në Morok një ditë para arrestimit të tij në vitin 2019, sipas dokumenteve të publikuara muajin e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA.

Epstein kishte ndjekur prej vitit 2011 blerjen e pronës “Bin Ennakhil”, por mosmarrëveshjet me shitësin për çmimin dhe mënyrën e blerjes zvarritën procesin për vite me radhë.

Pallati madhështor, i vendosur në lagjen luksoze Palmeraie në Marrakech, është përshkruar si një kryevepër arkitekturore, e ndërtuar nga 1.300 artizanë dhe e zbukuruar me gdhendje dhe mozaikë të rafinuar.

Më 5 korrik 2019, një ditë para arrestimit, Epstein autorizoi një transfertë bankare prej 14.95 milionë dollarësh, pas një marrëveshjeje për të blerë kompaninë offshore që zotëronte pronën për 18 milionë euro. Sipas dokumenteve të publikuara, ky ishte transaksioni i tij i fundit i madh financiar përpara se të arrestohej nga autoritetet amerikane në Nju Jork me akuza për trafikim seksual.

Tre ditë pas arrestimit, llogaritari i tij, Richard Kahn, anuloi transfertën dhe blerja nuk u finalizua kurrë.

Maroku nuk ka traktat ekstradimi me SHBA-në dhe mediat lokale kanë spekuluar se një nga arsyet pse Epstein synonte të blinte pronën mund të ketë qenë të tërhiqej në këtë vend për të shmangur arrestimin, në rast se do të ngriheshin akuza të reja ndaj tij.

Megjithatë, një ish-bashkëpunëtor i tij, që preferoi të mbetej anonim, deklaroi se transaksioni tregon se Epstein nuk kishte asnjë ide për arrestimin e afërt. Ai shtoi se “do të kishte kuptim nëse po mendonte për një strehë të mundshme ku mund të jetonte si mbret”.

Dokumentet e publikuara nuk përmbajnë referenca që Epstein ta ketë diskutuar Marokun si një strehë të mundshme nga autoritetet amerikane.

Lidhjet e hershme me Marokun

Lidhjet e Epstein me Marokun datojnë që në fillim të viteve 2000. Virginia Giuffre, një nga akuzueset e tij më të njohura, ka rrëfyer në kujtimet e saj se ishte dërguar me avion në Tangier nga Epstein dhe Ghislaine Maxwell për të inspektuar dizajnin e brendshëm të disa pronave luksoze.

Në atë kohë, Epstein dëshironte të ridizenjonte pjesë të shtëpisë së tij në ishull me stil maroken.

Në vitin 2002, ai mori pjesë në dasmën e Mbretit të Marokut, Mohammed VI, së bashku me Maxwell, pasi ishte ftuar nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton.

Epstein u dënua në SHBA në vitin 2008 për kërkim marrëdhëniesh seksuale me të mitur dhe, pas lirimit nga arresti shtëpiak në vitin 2010, interesi i tij për Marokun duket se u shtua.

Dokumentet tregojnë se në të njëjtin vit ai i kërkoi ish-ministrit britanik Peter Mandelson t’i gjente një asistent që mund të “gjente një shtëpi në Marrakesh” për të.

Nga viti 2012, Epstein vizitonte rregullisht Marokun, duke qëndruar në zonën ekskluzive Palmeraie, ku jeton një komunitet i pasur emigrantësh, përfshirë Jabor al Thani nga familja mbretërore e Katarit, të cilin e përshkruante si “vëllain e tij arab”.

“Bin Ennakhil” dhe negociatat

Partnerja afatgjatë e Epstein, Karyna Shuliak, udhëhoqi kërkimet për pronë në Marrakesh, me vizita dhe negociata të dokumentuara në email-et e saj.

Marc Leon, partner i Kensington Luxury Properties, tha për BBC se Epstein u fokusua te prona “Bin Ennakhil”, që në arabisht do të thotë “mes palmave”, që në vitin 2011. Në atë kohë, ai e konsideroi çmimin prej 55 milionë eurosh, të vendosur nga manjati gjerman i mbetjeve Gunter Kiss, si të ekzagjeruar, duke bërë një ofertë aq të ulët saqë Kiss u ndje i fyer dhe refuzoi të negocionte më tej.

Më vonë, përmes Shuliak dhe kontakteve të tij në Marok, Epstein vazhdoi inspektimet. Në vitin 2018 ai vizitoi vetë pronën, ndërsa Shuliak paraqiti ofertat përfundimtare duke pretenduar se vepronte në emër të miliarderit Leon Black, mik i Epstein.

Në fund, u bë e qartë se blerësi i vërtetë ishte vetë Epstein, por shitësi, i përmendur në email-e si “Z. Kiss”, pranoi të vazhdonte negociatat.

Dokumentet tregojnë se, në një fazë, Kensington Luxury Properties i propozoi një “strategji shitjeje dhe tatimore”, sipas së cilës prona do të regjistrohej pranë autoriteteve marokene si e shitur për 10 milionë euro, ndërsa një transaksion prej 20 milionë eurosh do të realizohej për aksionet e kompanisë offshore që zotëronte pronën.

Kjo skemë do t’i lejonte Epstein të regjistronte pronën në emrin e tij, duke ulur njëkohësisht taksat e paguara në Marok. Megjithatë, kompania mohoi për BBC-në çdo përpjekje të paligjshme apo joetike për shmangie tatimore.

Në fund, Epstein vendosi ta blinte pronën vetëm përmes blerjes së aksioneve të kompanisë offshore dhe po shqyrtonte mënyrën e regjistrimit në Marok në momentin e arrestimit të tij në vitin 2019.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco