Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka filluar luftën e tretë botërore dhe se ai duhet të ndalet përmes presionit të fortë ushtarak dhe ekonomik.
Në një intervistë të zhvilluar gjatë fundjavës me BBC-në, Zelensky ka theksuar se Ukraina jo vetëm që nuk po humb luftën, por do ta përfundojë atë me fitore.
Ai hodhi poshtë çdo ide për të paguar “çmimin” e një armëpushimi të kërkuar nga Moska, nëse kjo nënkupton tërheqjen nga territore strategjike që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë pavarësisht humbjeve të mëdha në njerëz.
“Unë besoj se Putini e ka nisur tashmë luftën e tretë botërore. Pyetja është sa territor do të mund të pushtojë dhe si ta ndalim atë. Rusia dëshiron t’i imponojë botës një mënyrë tjetër jetese dhe të ndryshojë jetën që njerëzit kanë zgjedhur për veten e tyre”, është shprehur ai.
Duke komentuar kërkesat e Rusisë që Ukraina t’i dorëzojë rreth 20 për qind të rajonit lindor të Donetskut, si dhe territore shtesë në rajonet jugore të Khersonit dhe Zaporizhzhias, Zelensky theksoi se çështja nuk është thjesht tokë.
© SYRI.net