'E pashë ngjarjen, isha në makinë...'/ Vrasja e Kevin Muharremit në Itali: Zbardhet dëshmia e mikut të autorit

'E pashë ngjarjen, isha në makinë...'/ Vrasja e Kevin Muharremit në Itali: Zbardhet dëshmia e mikut të autorit

10:16, 18/02/2026

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, e ndodhur pak ditë më parë në Montecalvoli. Përveç autorit të dyshuar, në hetim është përfshirë edhe një person tjetër që ndodhej në automjet në momentin e krimit.

Ndërkohë që 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke vijon të qëndrojë në burg, një 18-vjeçar që ishte në makinë me të ka dhënë dëshminë e tij në polici. Ai ka pranuar se ka qenë i pranishëm në momentin e të shtënave, i ulur në sediljen e pasagjerit të një Range Rover Evoque, por ka mohuar të ketë pasur dijeni për armën që, sipas hetimeve, përdori shoku i tij.

Bëhet fjalë për një pistoletë gjysmë-automatike Beretta 7.65, e mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe e gjetur më vonë pranë banesës së të arrestuarit në Montecalvoli. Sipas deklarimeve, 18-vjeçari nuk ishte në dijeni se arma do të përdorej kundër viktimës. Megjithatë, ai është aktualisht nën hetim për bashkëpunim në vrasje me dashje. Në sediljen e pasme të mjetit ndodhej edhe një i mitur, i cili po ashtu pritet të merret në pyetje.

Si ndodhi ngjarja

Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, në konflikt ishin përfshirë dy automjete, me nga tre persona secila. Në një Fiat Doblò të bardhë udhëtonte edhe Muharremi. Dyshohet se të rinjtë kishin rënë dakord për t’u takuar në zonën e Viale della Repubblica, pas një debati të nisur disa orë më herët në një lokal të zonës.

Sherri, që thuhet se nisi për motive të parëndësishme brenda pub-it dhe vijoi në parking, përfundoi në mënyrë tragjike. Sipas hetimeve, në një moment automjetet janë afruar dhe më pas, ndërsa po largohej, autori i dyshuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të viktimës. Nga pesë plumba të shkrepur, të paktën tre e kanë goditur 25-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen.

Hetimet dhe masa e sigurisë

Gjykata ka konfirmuar masën e arrestit me burg për Renato Xyke, i cili përballet me akuzën e vrasjes me dashje. Dosja i ka kaluar tashmë Prokurorisë së Pizës, e cila ka nisur një hetim të thelluar, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë e personave të përfshirë si dhe komunikimet telefonike mes tyre.

Sekuestrimi i armës dhe provat e mbledhura deri tani pritet të jenë kyçe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco