Vance: Irani ende refuzon të pranojë 'kufijtë e kuq', mbi 50 aeroplanë luftarakë USA drejt Lindjes së Mesme

Vance: Irani ende refuzon të pranojë 'kufijtë e kuq', mbi 50 aeroplanë luftarakë USA drejt Lindjes së Mesme

22:17, 17/02/2026

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, thotë se, edhe pse është arritur njëfarë përparimi në bisedimet e sotme me Iranin për programin e tij bërthamor, Republika Islamike nuk është e gatshme të pranojë disa nga kufijtë e vendosur nga Uashingtoni.

“Në disa aspekte, negociatat e mëngjesit shkuan mirë. Ranë dakord të takoheshin më pas, por në disa aspekte ishte shumë e qartë se presidenti ka vendosur disa kufij të cilët iranianët ende nuk janë të gatshëm t’i pranojnë dhe t’i përballojnë,” tha Vance në një intervistë për Fox News.

Duke shpjeguar pak më shumë për këta kufij, Vance tha se SHBA nuk do të lejojë që Irani të ketë armë bërthamore, duke argumentuar se kjo do të shkaktonte një garë armatimesh në mbarë botën, që do të ishte e rrezikshme për Amerikën.

Ai shtoi se presidenti i Donald Trump “ruan të drejtën” të vendosë kur diplomacia ka arritur kufijtë e saj. Trump më parë ka kërcënuar Iranin me sulme ushtarake dhe ka përforcuar forcat amerikane në Lindjen e Mesme, por kohët e fundit ka shfaqur përkushtim ndaj bisedimeve me Iranin.

“Ne do të vazhdojmë punën, por natyrisht presidenti ka të drejtën të vendosë kur mendon se diplomacia ka arritur fundin e saj natyror. Shpresojmë të mos arrijmë në atë pikë, por nëse ndodh, vendimi do të jetë i presidentit,” shtoi ai, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ndërkohë Ushtria amerikane ka lëvizur dhjetëra aeroplanë luftarakë drejt Lindjes së Mesme gjatë 24 orëve të fundit.

Një zyrtar amerikan i konfirmoi mediumit amerikan “Axios” se më shumë se 50 aeroplanë luftarakë janë zhvendosur në rajon gjatë 24 orëve të fundit.

Në mesin e aeroplanëve që janë zhvendosur përfshihen ata të tipave F-22, F-35 dhe F-16. Në lëvizje janë vërejtur edhe disa aeroplanë për rimbushje me karburant, sipas disa llogarive në rrjete sociale që u kushtohen përcjelljes së fluturimeve ushtarake.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco