Nga Isabel Vincent, NY POST
Grupe radikale të së majtës, përfshirë një që është financuar me 7.8 milionë dollarë nga miliarderi progresist George Soros, qëndrojnë pas protestave kundër ICE (Agjencia e Emigrimit dhe Doganave në SHBA) në Minnesota, ka mësuar “The Post”.
‘Indivisible Twin Cities’, i cili e përshkruan veten si një grup vullnetarësh nga baza, ka udhëhequr shumë nga protestat kundër bastisjeve të ICE në Minnesota, ku Renee Macklin Good u qëllua për vdekje të mërkurën, pasi dyshohet se tentoi të shtypte me makinë një agjent të ICE.
‘Indivisible Twin Cities’ është degë e ‘Indivisible Project’ në Uashington DC, i cili paraqitet si një lëvizje për të mposhtur “agjendën e Trump”, dhe që ka marrë 7.850.000 dollarë nga fondacionet ‘Open Society’ të Sorosit mes viteve 2018 dhe 2023, sipas të dhënave publike.
Grupi kontrovers ka qenë gjithashtu pas protestave të fundit pro-Venezuelës dhe demonstratave “No Kings” kundër administratës Trump në mbarë vendin vitin e kaluar.
Përveç ‘Indivisible Twin Cities’ — i cili nuk i identifikon drejtuesit e tij në faqen zyrtare — udhëheqës të tjerë protestash përfshijnë Këshillin për Marrëdhënie Amerikano-Islamike (CAIR), një grup anti-Izrael, drejtori ekzekutiv i degës së Minnesotës, Jaylani Hussein, ka mobilizuar protesta kundër ICE-it.
“Një vëzhguese e re u vra gjatë vëzhgimit, ne besojmë në mënyrat paqësore. Ata po gënjejnë, siç e dëgjoni sot. Ata tashmë kanë shpërndarë gënjeshtra për atë që ndodhi,” tha Hussein përmes megafonit në një protestë kundër ICE të mërkurën.
Good, e cila shkruante herë pas here poezi, është përshkruar nga burime të majta si një “vëzhguese ligjore” gjatë operacionit të ICE në zonën e banimit ku ajo humbi jetën.
Good, e cila ishte shpërngulur nga Colorado në Minnesota vitin e kaluar, ishte një “luftëtare” kundër ICE dhe anëtare e “ICE Watch”, një koalicion aktivistësh të përkushtuar për të penguar bastisjet e ICE në Minneapolis, siç ka zbuluar më herët “The Post”.
Nekima Levy Armstrong, themeluese e ‘Racial Justice Network’, ka qenë gjithashtu një nga drejtueset e demonstratave.
Aktivistja dhe avokatja për të drejtat civile nga Minnesota është një nga personat që ndihmon në organizimin e të ashtuquajturve “vëzhgues ligjorë”, të cilët shfaqen në bastisje në të gjithë qytetin për të dokumentuar veprimet e agjentëve federalë, sipas postimeve në rrjetet sociale.
Ajo publikon gjithashtu informacione për vigjilje dhe protesta në llogaritë e saj në rrjetet sociale. Armstrong luajti një rol të dukshëm edhe gjatë protestave pas vrasjes së George Floyd në Minneapolis në maj të vitit 2020, sipas raportimeve.
Kur guvernatori i Minnesota-s, Tim Walz, i cili ishte nën presion, njoftoi këtë javë se nuk do të kërkonte rizgjedhje mes një skandali të gjerë mashtrimi me ndihmat sociale në shtet, Armstrong e kritikoi këtë veprim si një “tërheqje”.
“Kur demokratët u përgjigjen sulmeve me keqdashje duke u tërhequr, ata nuk humbasin vetëm kandidatë,” shkroi Armstrong në një postim në Facebook.
“Ata e legjitimojnë këtë taktikë. U mësojnë votuesve se propaganda funksionon, se mizoria nuk ka kosto dhe se komunitetet e margjinalizuara mund të përdoren si armë politike pa pasoja. Pavarësisht qëllimeve, efekti i përgjithshëm është kapitullim strategjik.”
Udhëheqës të tjerë protestash përfshijnë edhe Edwin Torres DeSantiago, i cili drejton ‘Immigrant Defense Network’, një organizatë ombrellë që bashkëpunon me mbi 90 organizata joqeveritare dhe grupe fetare për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve.
I lindur në El Salvador, DeSantiago është emigranti i parë pa dokumente që ndjek studime doktorature në Universitetin e Minnesota-s.
Pas vdekjes së Good, DeSantiago akuzoi presidentin Trump se po mbjell “terror dhe kaos” në Minneapolis.
© SYRI.net