Vrasja e një gruaje nga oficeri i emigracionit, Trump: Ishte për vetëmbrojtje!

Vrasja e një gruaje nga oficeri i emigracionit, Trump: Ishte për vetëmbrojtje!

09:16, 08/01/2026

Ngjarja ndodhi sërish, vetëm disa blloqe larg vendit ku pesë vite më parë George Floyd u mbyt brutalisht nga një polic.

Viktima këtë herë nuk është afro-amerikane, por një grua e bardhë 37-vjeçare, e vrarë gjatë një operacioni të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE), të dislokuar me urdhër të presidentit Donald Trump në disa qytete amerikane kundër emigracionit të paligjshëm.

Sipas mediave amerikane, bëhet fjalë për Renee Nicole Good, shtetase amerikane, nënë e tre fëmijëve, me origjinë nga Kolorado.

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon disa agjentë që afrohen pranë një makine të ndalur në mes të rrugës dhe i kërkojnë shoferes të zbresë. Kur një prej tyre kap dorezën e derës, automjeti bën mbrapsht dhe më pas përpara. Një tjetër agjent, i pozicionuar përpara makinës, nxjerr armën dhe qëllon nga afër tre herë. SUV-i përplaset me një makinë të parkuar dhe godet një shtyllë ndriçimi. Gruaja, e plagosur, vdes në spital.

Ka dy versione të kundërta për ngjarjen. Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, tha se të shtënat ndodhën pasi “turbulentë” penguan agjentët dhe gruaja tentoi të “përplasë” forcat e rendit, siç shkruan Corriere Della Sera.

Ministrja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e quajti aktin “terrorizëm i brendshëm”.

Presidenti Trump mbështeti këtë version: “E pashë videon, është e tmerrshme për t’u parë. Gruaja ishte shumë e dhunshme, pengonte dhe rezistonte, pastaj përplasi brutalisht agjentin e ICE-së, i cili duket se qëlloi për vetëmbrojtje”. Ai akuzoi gjithashtu “të majtën radikale” për sulme të përditshme ndaj agjentëve.

Autoritetet lokale kundërshtuan. Kryetari i Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, e quajti ngjarjen “përdorim të pamatur të forcës që shkaktoi vdekjen e një personi” dhe i kërkoi agjentëve federalë të largohen nga qyteti.

Guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, e cilësoi administratën Trump si “makinë propagandistike” dhe tha se tragjedia ishte “plotësisht e shmangshme”.

Deputetja demokrate Ilhan Omar, e para somalo-amerikane e zgjedhur në Kongres, e përshkroi viktimën si një “vëzhguese ligjore” të operacionit të ICE-së, që ka mobilizuar mbi 2 mijë agjentë federalë në qytet. Ndërkohë, qindra protestues u mblodhën në zonën e të shtënave.

Minneapolis është shndërruar në objektiv të fushatës së administratës Trump, e cila ka dërguar ICE-në dhe Gardën Kombëtare në qytete me drejtim demokrat për të arrestuar emigrantë pa dokumente. Deri tani, të paktën pesë persona janë vrarë, përfshirë Silverio Villegas-Gonzalez në shtator në zonën e Çikagos.

Qytetet Minneapolis dhe St. Paul janë në gjendje alarmi që prej javës së kaluar, kur Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi nisjen e një operacioni të lidhur me akuza për mashtrime që përfshijnë banorë me origjinë nga Somalia. Sipas prokurorëve, miliarda dollarë janë vjedhur nga subvencione shëndetësore federale dhe programe të Covid-19. Minnesota strehon komunitetin më të madh somalez në SHBA, një grup që Trump muajin e kaluar tha se “nuk e do më në vend”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco