Shtëpia e Bardhë thotë se Trumpi do t’i tërheqë SHBA-të nga dhjetëra organizata ndërkombëtare

Shtëpia e Bardhë thotë se Trumpi do t’i tërheqë SHBA-të nga dhjetëra organizata ndërkombëtare

00:10, 08/01/2026

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mërkurën nënshkroi një shpallje me të cilën Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga 35 organizata që nuk janë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe nga 31 entitete të OKB-së që, sipas saj, “operojnë në kundërshtim me interesat kombëtare të SHBA-së”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë nuk e publikoi listën e këtyre organizatave, por tha se ato promovojnë “politika radikale klimatike, qeverisje globale dhe programe ideologjike që bien ndesh me sovranitetin dhe fuqinë ekonomike të SHBA-së”, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Në deklaratë thuhet se kjo lëvizje është rezultat i një rishikimi të të gjitha organizatave, konventave dhe traktateve ndërqeveritare ndërkombëtare, në të cilat Shtetet e Bashkuara janë anëtare ose palë.

“Këto tërheqje do t’i japin fund financimit dhe përfshirjes së taksapaguesve amerikanë në entitete që çojnë përpara agjenda globaliste mbi prioritetet e SHBA-së, ose që adresojnë çështje të rëndësishme në mënyra joefikase, në mënyrë që dollarët e taksapaguesve amerikanë të alokohen më së miri për mbështetjen e misioneve përkatëse”, tha Shtëpia e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë nuk u përgjigj menjëherë kur iu kërkuan hollësi të mëtejme dhe një listë e këtyre organizatave.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, para një viti, Trumpi është përpjekur t’i zvogëlojë fondet amerikane për OKB-në, ka ndërprerë angazhimin e Uashingtonit me Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe e ka tërhequr vendin nga agjencia kulturore e OKB-së, UNESCO.

Presidenti amerikan gjithashtu ka njoftuar plane për t’i tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga Marrëveshja e Parisit për klimën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco