Bashkimi Evropian ka rënë dakord për vendosje të një raundi të ri sanksionesh kundër Rusisë.
Ky vendim vjen një ditë pas bisedimeve SHBA-Rusinë Riad për paqe në Ukrainë dhe vetëm disa ditë para tre vjetorit nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë.
BBC raporton se sanksionet do të miratohen zyrtarisht nga ministrat e BE-së të hënën, në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.
Kujtojmë se sekretari i Shtetit në SHBA, Marco Rubio, është shprehur se Evropa do të thirret në tryezën e bisedimeve për të diskutuar lehtësimin e sanksioneve për Kremlinin.
“Ka palë të tjera që kanë sanksione, Bashkimi Evropian do të duhet të jetë në tryezë në një moment,” tha Rubio të martën pas takimit me homologun e tij rus në Riad të Arabisë Saudite.
Rubio theksoi se duhet të bëhen lëshime nga “të gjitha palët”.
Kur u pyet për përjashtimin e Evropës nga procesi, ai u përgjigj: “Askush nuk po anashkalohet”.
Megjithatë, BE është e prirur të ruajë politikën e saj ndëshkuese.
Kjo është paketa e 16-të të kufizimeve të BE kundër Rusisë që nga shkurti i vitit 2022.
Sanksionet e reja paraqesin një ndalim të importeve të aluminit rus, një ide që u diskutua në të kaluarën, por nuk u miratua kurrë për shkak të rezervimit të disa vendeve anëtare që shqetësoheshin për ndikimin e tij ekonomik.
Alumini i papërpunuar rus përbën rreth 6% të importeve të aluminit të BE-së, një pjesë që është ulur gjatë viteve të fundit pasi prodhuesit evropianë u larguan nga furnizuesit rusë.
© SYRI.net