Vlerësimi i bërë këtë javë nga Zyra e Pavarur e Auditimit Publik të Francës për gjendjen e deficitit të pensioneve, mund të nxisë një rikthim të debatit dhe të ringjallë kritikat ndaj reformës që u bë në vitin 2023 nga presidenti francez Emanuel Macron.
Ky raport do të shqyrtojë nëse reforma ka arritur qëllimet e saj për të reduktuar defiçitin dhe për të siguruar stabilitetin e sistemit të pensioneve. Një defiçit më i lartë nga sa është parashikuar mund të shtojë tensionet dhe të përkeqësojë më tej imazhin e qeverisë së Macron, e cila ka luftuar për të mbajtur mbështetje në një periudhë të vështirë politike dhe ekonomike, ku borxhi publik është gjithashtu një shqetësim i madh.
Kjo situatë mund të çojë në një krizë të re politike, pasi opozita dhe sindikatat mund të përdorin këtë si një mundësi për të mobilizuar më shumë protesta dhe kundërshtime, duke minuar autoritetin e qeverisë dhe përpjekjet për të kaluar reforma të tjera të nevojshme për stabilitetin ekonomik të Francës.
Kujtojmë se në vitin 2023, Macron kaloi një reformë të thellë të pensioneve duke ngritur moshën e daljes në pension në 64 vjeç, dy vjet më shumë se sa ishte më parë.
Kjo reformë nxiti protesta masive dhe greva në të gjithë Francën, me sindikatat dhe qytetarët që kundërshtuan këtë ndryshim, duke e konsideruar si një goditje për ata që kanë punuar për vite të tëra dhe si një kërcënim për të ardhurat e tyre në pension. Pavarësisht kundërshtive, qeveria e Macron arriti të kalonte ligjin, duke përdorur mundësinë për të miratuar legjislacionin pa një votim të drejtpërdrejtë në parlament, që shkaktoi edhe më shumë tensione politike.
© SYRI.net