Alex Soros, djali i miliarderit amerikan George Soros, u takua të mërkurën me Muhammad Yunus, këshilltarin kryesor të qeverisë së përkohshme të Bangladeshit.
Gjatë takimit, Alex iu referua Yunus-it si një "mik i vjetër i babait tim" dhe vlerësoi udhëheqjen e tij në drejtimin e Bangladeshit drejt një të ardhmeje të ndërtuar mbi "barazinë dhe drejtësinë". Ai ndau ndjenjat e tij në një postim në Instagram, duke thënë: "Jam i lumtur që shoh një mik të vjetër të babait tim dhe fondacionit, fituesin e çmimit Nobel Profesor Muhammad Yunus, udhëheqës i përkohshëm i Bangladeshit, i cili ndërhyri për të udhëhequr Bangladeshin drejt një të ardhmeje paqësore të bazuar në barazi dhe drejtësi."
Ky takim vjen pas shkarkimit të ish-kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina. Udhëheqësja e Lidhjes Awami u rrëzua në fillim të këtij viti pas protestave nga studentët që u përshkallëzuan në një lëvizje të madhe anti-qeveritare.
Yunus u betua si kreu i qeverisë së përkohshme me 8 gusht pasi Hasina u largua nga vendi dhe parlamenti u shpërnda. Mes trazirave politike në vend, Hasina thuhet se akuzoi se në protesta kishte gisht SHBA-ja dhe pretendoi se ajo mund të kishte mbajtur pushtetin nëse do t'i jepte ASHB-së kontrollin e ishullit Saint Martin. Megjithatë, këto akuza u hodhën poshtë nga zyrtarët amerikanë.
Yunus kohët e fundit iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke përgëzuar protestat e udhëhequra nga të rinjtë që çuan në rrëzimin e Hasinës dhe duke e përshkruar regjimin e saj si "autokratik" dhe "jodemokratik". Ai shprehu shpresën se vendosmëria kolektive e popullit të Bangladeshit do të formësonte një të ardhme më të mirë për kombin. Pavarësisht thirrjeve të Yunus-it për përparim, protestat shpërthyen jashtë selisë së OKB-së gjatë fjalimit të tij, me demonstruesit që shprehën kundërshtim të fortë ndaj udhëheqjes së tij. / News18 - Syri.net
© SYRI.net