Netanyahu kërkon kontroll të përhershëm të kufirit mes Gazës dhe Egjiptit

Netanyahu kërkon kontroll të përhershëm të kufirit mes Gazës dhe Egjiptit

07:54, 05/09/2024

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën se Izraeli duhet të ketë kontroll të përhershëm të kufirit mes Gazës dhe Egjiptit, duke këmbëngulur në qëndrimin e tij për një çështje që kërcënon të minojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi.

Komentet e zotit Netanyahu vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara po hartojnë një propozim të ri që synon arritjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve. Përpjekja synon t’i japë fund luftimeve gati 11-mujore.

Çështja e kontrollit të korridorit Filadelfi, një rrip i ngushtë toke përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin i marrë nën kontroll nga trupat izraelite në maj, është bërë një pengesë qendrore në bisedime. Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza në marrëveshjen e armëpushimit me shumë faza. Bisedimet po ndërmjetësohen nga Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari. Egjipti ka kërkuar gjithashtu një afat konkret për largimin e trupave izraelite nga korridori Filadelfi.

Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat vendosën marrëdhënie zyrtare me Izraelin në bazë të Marrëveshjes së Abrahamit të vitit 2020, kritikuan gjithashtu qëndrimin izraelit.

Duke folur me gazetarët e huaj, zoti Netanyahu përsëriti qëndrimin se Izraeli duhet të mbajë kontrollin e kufirit për të parandaluar kontrabandën e armëve drejt Gazës dhe furnizimin e Hamasit. Ai tha se ishte një pjesë jetike e objektivit të luftës për të siguruar që Hamasi të mos përsëriste më sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.

Gaza duhet të çmilitarizohet dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse korridori i Filadelfit mbetet nën kontroll të rreptë, tha ai, duke pretenduar se trupat izraelite kishin zbuluar dhjetëra tunele poshtë kufirit. Ai tha se Izraeli do të konsideronte tërheqjen nga korridori vetëm në rast të një force alternative për ta kontrolluar atë.

“Më sillni këdo që do të na tregojë në të vërtetë se mund ta parandalojnë vazhdimin e kontrabandës”, tha ai. “Unë nuk e shoh që kjo të ndodhë tani. Dhe derisa të ndodhë kjo, ne do të jemi atje”.

Familjet e pengjeve të mbetura po kërkojnë me ngulm që kryeministri të pranojë një marrëveshje pasi Hamasi vrau gjashtë pengje javën e kaluar ndërsa trupat izraelite dukej se po përpiqeshin për t'i shpëtuar.

Familjet e pengjeve e kanë akuzuar zotin Netanyahun për bllokimin e marrëveshjes dhe se ka sakrifikuar jetën e të dashurve të tyre për hir të mbajtjes së kontrollit mbi rripin kufitar. Qindra mijëra izraelitë kanë protestuar ditët e fundit, duke bërë thirrje për një marrëveshje dhe thënë se po mbaron koha për t’i sjellë të gjalla pengjet në shtëpi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco