ShBA akuzon Hamasin se po përdor spitalet në Gaza për armë e pengje

ShBA akuzon Hamasin se po përdor spitalet në Gaza për armë e pengje

22:57, 14/11/2023

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë të martën se Hamasi po ruan armë dhe po operon një qendër komandimi nga spitali Al-Shifa në Gaza.

“Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez përdorin disa spitale në Rripin e Gazës, duke përfshirë Al-Shifa dhe tunele poshtë tyre, për të fshehur dhe për të mbështetur operacionet e tyre ushtarake dhe për të mbajtur pengje”, u tha gazetarëve John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Vërejtjet i bëjnë jehonë pretendimeve të bëra nga Izraeli se ka një qendër komanduese të Hamasit poshtë Al-Shifa-s, i cili është spitali më i madh në enklavë. Zyrtarët e spitalit palestinez dhe Hamasi i kanë hedhur poshtë pretendimet, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Pentagoni tha gjithashtu se ShBA-ja ka dokumente të deklasifikuara rishtazi që thonë se Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez po përdornin spitalet – përfshirë Al-Shifa – si një “mënyrë për të fshehur dhe mbështetur operacionet e tyre ushtarake dhe për të mbajtur pengje”.

Zëvendës Sekretarja e Shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh, refuzoi disa herë të sqarojë se si ShBA-ja arriti ta kishte atë vlerësim, por tha se ka “agjenci të shumta që mbledhin dhe vlerësojnë dhe analizojnë inteligjencën”.

Kirby përmendi gjithashtu një “larmi” burimesh të inteligjencës për të mbështetur pohimin se spitali Al-Shifa po përdoret nga Hamasi, megjithëse ai nuk do të jepte detaje të mëtejshme.

Megjithatë, Kirby tha se ShBA-ja ka qenë e qartë se nuk e mbështet Izraelin të bombardojë objektet mjekësore nga ajri.

“Ne nuk e mbështesim goditjen e një spitali nga ajri”, tha Kirby, duke shtuar se ShBA-ja gjithashtu nuk dëshiron “shkëmbime zjarri” ku njerëzit e pafajshëm që kërkojnë kujdes mjekësor kapen në këtë shkëmbim zjarri. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco