Republikanët zgjedhin Steve Scalise për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

Republikanët zgjedhin Steve Scalise për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

07:06, 12/10/2023

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve emëruan Ligjvënësin Steve Scalise si kandidat për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, një post ky që mbahej më parë nga Kevin McCarthy, i cili u largua me votim javën e kaluar, njofton Zëri i Amerikës.

Emërimi u bë me një votim të fshehtë me dyer të mbyllura, gjatë të cilit republikanët vendosën në favor të Ligjvënësit Scalise, i cili konkuronte për kryetar së bashku me Ligjvënësin Jim Jordan, Kryetar i Komisionit për Gjyqësorin të Dhomës së Përfaqësuesve.

58-vjeçari Scalise pati mbështetjen e republikanëve të hershëm dhe të elitave të partisë.

Ligjvënësi Scalise duhet të marrë tashmë miratimin e të gjithë Dhomës së Përfaqësuesve, ku republikanët kanë një shumicë të ngushtë 221 me 212. Kjo do të thotë se ata duhet të bashkohen në mbështetje të njërit kandidat për të arritur shumicën e thjeshtë që nevojitet për zgjedhjen e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Nuk është e qartë nëse mbështetësit e Ligjvënësit Jordan do ta mbështesin Ligjvënësin Scalise, megjithëse të dy deklaruan pas votimit me dyer të mbyllura, se do të mbështesin të emëruarin e Partisë Republikane.

Zotit McCarthy iu deshën 15 raunde votimi në janar për t’u bërë kryetar, ndërsa demokratët mbështetën plotësisht kandidatin e tyre, drejtuesin demokrat Ligjvënësin Hakeem Jeffries. Disa republikanë rezistuan deri kur zoti McCarthy bëri disa lëshime të caktuara.

Ndër lëshimet ishte që t’i lejohej një anëtari të vetëm të paraqesë mocion mosbesimi për heqjen e kryetarit. Ligjvënësi republikan Matt Gaetz paraqiti një mocion pasi Kryetari McCarthy u mbështet tek votat e demokratëve për të shmangur një mbyllje të qeverisë amerikane.

Zoti McCarthy u bë kështu Kryetari i parë i Dhomës së Përfaqësuesve që hiqet nga detyra me votim.

Vendi bosh i kryetarit ka ndalur punën në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila përballet me një afat deri në mesin e nëntorit për të përfunduar punën me një seri projektligjesh buxhetore, ose në të kundërt të përballet sërish me mundësinë e mbylljes së qeverisë. Edhe ndihma për Ukrainën pret për të marrë miratimin.

Për më tepër, nevoja urgjente për një zgjidhje bazuar në zhvillimet e fundit në Izrael, i ka shtyrë ligjvënësit republikanë të theksojnë nevojën e zgjedhjes me shpejtësi të një kryetari të Dhomës së Përfaqësuesve, gjë që do t’i mundësonte edhe rifillimin e punës.

“Është vërtet, vërtet e rëndësishme që ky Kongres t’i rikthehet punës”, tha Ligjvënësi Scalise.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco