Kina liron gazetaren australiane Cheng Lei

Kina liron gazetaren australiane Cheng Lei

22:21, 11/10/2023

Kina e ka liruar gazetaren australiane Cheng Lei, pas më shumë se tri vjetëve, njoftoi të mërkurën kryeministri i Australisë, Anthony Albanese. Ai tha se Lei u lirua nga paraburgimi dhe u ribashkua me dy fëmijët e vet në Melburn. “Populli australian ka dashur aq shumë ta shihte Cheng Lein duke u ribashkuar me fëmijët e vet”, tha Albanese.

Cheng, ish-spikere e lajmeve në televizionin shtetëror kinez CGTN, ishte paraburgosur në gusht 2020.

Ajo ishte arrestuar formalisht disa muaj më vonë dhe ndaj saj ishte ngritur aktakuzë për “dërgimin e sekreteve shtetërore jashtë vendit” në një rast për të cilin shumë njerëz thanë se ishte i nxitur politikisht. Cheng ishte fytyrë e njohur në kanalin shtetëror të lajmeve në gjuhën angleze. E lindur në provincën Hunan, Cheng tani është shtetase australiane e cila emigroi në Melburn si fëmijë, para se të kthehej në Kinë dhe t’i bashkohej transmetuesit shtetëror më 2012. Kina nuk ua lejon qytetarëve të vet të mbajnë dyshtetësi. Ajo u gjykua mbrapa dyerve të mbyllura dhe hyrja në seanca gjyqësore ndaj saj nuk iu lejua madje as ambasadorit të Australisë në Kinë.

Qeveria e Australisë kishte bërë fushatë të gjatë për lirimin e saj dhe i kishte bërë thirrje Kinës t’i respektonte “standardet themelore të drejtësisë”. Ajo shkroi për kushte të mjerueshme burgu në një letër dërguar zyrtarëve australianë, e cila ishte publikuar në gusht. “Më mungon dielli”, shkruhej në letrën e përshkuar si “letra e dashurisë” për Australinë. “Në qelinë time, rrezet e diellit shkëlqejnë përmes dritares, por mund të qëndroj në të vetëm 10 orë në vit”, shkroi ajo. Albanese tha se ajo u lirua pasi “mbaruan procedurat ligjore në Kinë”. Rasti i Chengut i përkeqësoi marrëdhëniet mes Australisë dhe Kinës. Kina ka ndaluar vazhdimisht shtetas të huaj në kohë të tensioneve të larta politike me vendet e tyre, duke nxitur akuza për diplomaci pengmarrëse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco