Blinken vizitë të befasifshme në Ukrainë

Blinken vizitë të befasifshme në Ukrainë

16:45, 06/09/2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, arriti të mërkurën në Kiev për një vizitë të paparalajmëruar, disa orë pasi Rusia nisi sulmin e saj të parë me raketa në një javë kundër kryeqytetit ukrainas.

Sipas zyrtarëve amerikanë udhëtimi i sekretarit Blinken synon të vlerësojë kundërsulmin 3 mujor të Ukrainës dhe të ritheksojë mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Kievit për të dëbuar forcat e Kremlinit pas 19 muajsh lufte, mes shqetësimeve midis disa aleatëve perëndimorë mbi ritmin e përparimit.

Me të mbërritur në Kiev, sekretari Blinken vendosi një kurorë lulesh në varrezat e Berkovetske për të përkujtuar pjesëtarët e e forcave të armatosura ukrainase që humbën jetën duke mbrojtur vendin.

Ai pritet të takohet me presidentin Volodymyr Zelenskyy, kryeministrin Denys Shmyhal dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba, për të diskutuar mbi kundërsulmin dhe përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës.

Zyrtarë të Uashingtonit thanë se rrugët e mundshme alternative të eksportit të grurit ukrainas do të diskutohen gjithashtu pas largimit të Rusisë nga marrëveshja por eksportet e drithit dhe bombardimeve të saj të shpeshta në rajonin e Odesës prej nga shumica e drithërave transportohen jashtë vendit.

Vizita e sekretarit Blinken pritet të përfshijë njoftimin e një ndihme të re prej 1 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Gjatë vizitës pritet të diskutohen çështje të tjera, përfshirë mbështetjen për ekonominë e shkatërruar nga lufta të Ukrainës, duke u mbështetur në njoftimin e qershorit që bëri sekretari Blinken në Londër për 1.3 miliardë dollarë ndihmë për të ndihmuar në rindërtimin e Kievit, me përqendrim në modernizimin e rrjetit të tij energjetik që u bombardua nga Rusia dimrin e kaluar.

Gjatë natës, Rusia hodhi raketa në Kiev në sulmin e parë ajror në kryeqytet që nga 30 gushti, sipas Serhii Popkos, shefit të administratës ushtarake rajonale të Kievit.

Ndërkohë, në rajonin e Odesas, një person u vra nga një sulm me raketa dhe dronë rus që goditën portin Izmail duke dëmtuar ndërtesat administrative dhe ndërmarrjet bujqësore, thanë autoritetet lokale.

Udhëtimi në Ukrainë është i katërti i sekretarit Blinken që nga fillimi i luftës, duke përfshirë një qëndrim shumë të shkurtër mbi kufirin polako-ukrainas në mars të vitit 2022, vetëm një muaj pas pushtimit rus.

Megjithatë, kjo do të shënojë herën e parë që kryediplomati amerikan do të kalojë natën në kryeqytetin e Ukrainës që kur ai vizitoi Kievin në janar të vitit 2022, para fillimit te agresionit rus.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco