Turqia do të veprojë për të parandaluar dëmet pas pezullimit të marrëveshjes së grurit nga Rusia

Turqia do të veprojë për të parandaluar dëmet pas pezullimit të marrëveshjes së grurit nga Rusia

16:17, 21/07/2023

Përfundimi i marrëveshjes së drithit të Detit të Zi, siç u njoftua këtë javë, do të godiste rëndë në shumë mënyra, paralajmëroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke shtuar se Turqia tashmë po punon për ta parandaluar këtë.

“Përfundimi i nismës së drithërave të Detit të Zi do të ketë një sërë efektesh, duke filluar nga rritja e çmimeve globale të ushqimeve, në disa rajone deri te mungesa e bukës dhe më pas valët e reja të migrimit. Ne nuk hezitojmë të marrim iniciativën për ta parandaluar këtë”, deklaroi lideri turk.

“Unë besoj se duke diskutuar çështjen në detaje me (presidentin rus Vladimir) Putin, do të sigurojmë vazhdimin e kësaj lëvizjeje humanitare”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet roli unik i shtetit turk si një vend me marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, që e ndihmuan atë të ndërmjetësonte marrëveshjen në fillim së bashku me OKB-në, raporton aa.

Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, të cilën e nënshkroi korrikun e kaluar së bashku me Turqinë, OKB-në dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të ndërprera pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt. Por, edhe gjatë rinovimit të marrëveshjes në muajt e kaluar, Moska është ankuar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.

Erdogan tha se Putin ka pritshmëri nga vendet perëndimore për marrëveshjen e drithit, duke shtuar, “vendet perëndimore duhet të ndërmarrin veprime në këtë drejtim”.

Sipas marrëveshjes historike, më shumë se 33 milionë tonë drithë u dërguan nga portet e Ukrainës, duke parandaluar një krizë globale ushqimore, tha ai, duke shtuar se “vazhdimi i një nisme kaq jetike për sa u përket rezultateve të saj është në dobi të njerëzimit”.

Erdogan mohoi zërat se ka rënë rëndësia e Turqisë në ndërmjetësimin midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Përkundrazi, ne po ruajmë aktualisht marrëdhëniet tona me Rusinë. Si ministri i Jashtëm Hakan (Fidan), ashtu dhe kreu i (Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës) MIT-it Ibrahim (Kalın), po i vazhdojnë negociatat e tyre”, shtoi presidenti turk.

Presidenti shtoi se së shpejti mund të ketë një bisedë telefonike me Putinin pa pritur një takim të mundshëm në muajin gusht. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco