Çfarë u diskutua në takimin mes liderëve Truss dhe Biden në New York

Çfarë u diskutua në takimin mes liderëve Truss dhe Biden në New York

07:39, 22/09/2022

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss, kanë zhvilluar sot një takim në New York, ku po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ata të dy kanë diskutuar për luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, me ç’rast deklaratat e fundme të Putinit i quajtën si nxitëse të luftës, raporton Skynews.

Tutje, liderët thanë se veprimet e këtij të fundit “theksojnë nevojën që aleatët të vazhdojnë mbështetjen e tyre ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën”.

Burime të tjera raportojnë se, në takim, Kryeministrja e njoftoi Presidentin Biden se Britania e Madhe do ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të paktën në të njëjtin nivel sa këtë vit, edhe vitin e ardhshëm.

Ky takim mes liderëve u zhvillua pas fjalimit të Presidentit të SHBA-ve në Asamble, ku ai iu kthye edhe njëherë ashpër Putinit për luftën në Ukrainë, të cilën Biden e ka cilësuar si “brutale dhe të panevojshme”.

Ai tha se raportimet për abuzime ndaj ukrainasve “duhet t’iu ngrijë gjakun” të gjithëve.

Kujtojmë se të mërkurën, Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se ka nënshkruar një vendim për mobilizim të pjesshëm ushtarak, me ç’rast kërkoi 300,000 rezervistë rusë për luftën në Ukrainë.

Ky vendim i Presidentit Putin ka shkaktuar protesta të shumta nëpër Rusi. Qytetarët rusë po refuzojnë të jenë pjesë e luftës, me kërkesë të Putinit. Në këto protesta, deri më tash raportohet se janë kryer mbi 1 mijë arrestime, e që, nga pamjet e publikuara nëpër media ndërkombëtare, shumica prej tyre janë kryer në mënyrë brutale.

Një pjesë e mirë e rusëve ia kanë mësyrë aeroporteve për të ikur nga vendi, gjë që ka shkaktuar tollovi dhe shitje të paparashikuara biletash njëdrejtimëshe për fluturime nga Rusia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco