Kanada/ Vidhet fotoja ikonë e Winston Churchill

Kanada/ Vidhet fotoja ikonë e Winston Churchill

08:52, 24/08/2022

Një fotografi e famshme e Winston Churchill e shkrepur në vitin 1941 është zhdukur nga një hotel në Otavë, Kanada dhe është zëvendësuar me një të rreme.

Fotoja - e njohur si "Ulërima e Luanit" - është bërë nga Yousuf Karsh pak pasi Churchill mbajti një fjalim gjatë kohës së luftës në parlamentin kanadez.

Një anëtar i stafit në hotelin Château Laurier vuri re fillimisht se fotografia ishte zëvendësuar më 19 gusht.

Policia po heton për ngjarjen.

Fotografia është një nga fotografitë më ikonike të realizuara dhe tregon momentin pasi Karsh i hoqi puron nga goja Churchill-it.

"Unë zgjata një tavëll, por ai nuk do ta hidhte...Prisja; ai vazhdoi ta thithte puron. Unë prita," kujtoi Karsh më vonë  duke shtuar:

"Më pas u afrova drejt tij dhe, pa paramendim, por me respekt, i thashë 'më falni zotëri' dhe i mora puron nga goja. Churchill dukej aq luftarak sa mund të më kishte gllabëruar. Në atë çast i bëra fotografinë.” 

Château Laurier për herë të parë kuptoi se diçka nuk shkonte të premten, kur anëtarët e stafit vunë re se korniza e fotografisë nuk përputhej me imazhet e tjera të Karsh në të njëjtën dhomë.

Pasi u hetua, hoteli tha se fotografia ishte "zëvendësuar me një kopje të origjinalit", në një deklaratë për mediat lokale. 

Është e paqartë se sa kohë ka kaluar që nga marrja e imazhit origjinal.

"Ne jemi thellësisht të pikëlluar nga ky akt i pacipë," tha në deklaratë menaxheri i përgjithshëm i hotelit, Geneviève Dumas.

 "Hoteli është jashtëzakonisht krenar që strehon këtë koleksion mahnitës Karsh, i cili u instalua në mënyrë të sigurt në 1998."

Hoteli operohet nga Fairmont Hotels & Resorts me seli në Toronto, një degë e AccorHotels.

Rasti është raportuar në policinë e Otavës, e cila ka nisur një hetim për fotografinë e zhdukur.

Karsh, i cili vdiq në vitin 2002, konsiderohet si një nga fotografët e famshëm të portreteve të shekullit të 20-të, me personazhe të tjera që përfshijnë Mbretëresha Elizabeth II, Nelson Mandela, Martin Luther King dhe deri tek Fidel Castro, Muhammad Ali dhe Andy Warhol.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco