SHBA akuzon një anëtar të Gardës Revolucionare të Iranit për komplot për të vrarë John Boltonin

SHBA akuzon një anëtar të Gardës Revolucionare të Iranit për komplot për të vrarë John Boltonin

09:12, 11/08/2022

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj një anëtari të forcave elitë të Gardës Revolucionare të Iranit për një komplot për të vrarë ish- këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton. Zoti Bolton ishte këshilltar i ish-presidentit Donald Trump.

Shtetasi iranian Shahram Poursafi, i njohur gjithashtu si Mehdi Rezayi, “u përpoq t’u paguante disa individëve në Shtetet e Bashkuara 300,000 dollarë për të kryer vrasjen në Uashington ose në Maryland”, tha Departamenti i Drejtësisë.

Departamenti i Drejtësisë tha se ka të ngjarë që Poursafi të ishte motivuar për të vrarë zotin Bolton si hakmarrje për vdekjen e Qassem Soleimanit, një komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit të vrarë në një sulm me dron të SHBA-së në janar 2020.

Sipas kallëzimit penal, Poursafi i kërkoi një banori amerikan të identifikuar vetëm si “Individi A” të bënte fotografi të zotit Bolton, me pretendimin se fotot i duheshin për një libër.

Banori i Shteteve të Bashkuara më pas e prezantoi Poursafin me një informator të fshehtë të qeverisë, i cili mund t’i bënte fotografitë për një çmim të caktuar.

Hetuesit thanë se një muaj më pas, Poursafi e kontaktoi informatorin në një aplikacion ku dërgohen mesazhe të koduara dhe i ofroi personit 250,000 dollarë për të angazhuar dikë për të “eliminuar” zotin Bolton. Kjo shumë më pas u rrit deri në 300,000 dollarë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social, Twitter të mërkurën, zoti Bolton e falënderoi Departamentin e Drejtësisë për masat e ndërmarra.

“Nuk mund të thuhet shumë publikisht tani, por një gjë është e padiskutueshme: Sundimtarët e Iranit janë gënjeshtarë, terroristë dhe armiq të Shteteve të Bashkuara”, tha ai. (Voa)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco