Reagon Trump: Persekutim politik, kohë të errëta për kombin. Duan të mos kandidoj

Reagon Trump: Persekutim politik, kohë të errëta për kombin. Duan të mos kandidoj

09:29, 09/08/2022

Kompleksi në pronësi të ish-Presidentit të SHBA, Donald Trump në Mar-a-Lago të Floridas është mësyrë nga agjentë të armatosur të FBI-së, të cilët janë duke kryer kontrolle të imtësishme, duke zbërthyer edhe kasafortat më të sigurta të tij.

Duket se hetimi ka për pistë kryesore akuzat e ngritura ndaj ish-Presidentit, ku pretendohet se ai ka marrë me vete dokumente të klasifikuara kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë, Trump u pasi njoftoi se shtëpia e tij në Mar-a-Lago ishte bastisur nga FBI, u fotografua duke u larguar nga “Trump Tower” në Nju Jork të hënën mbrëma, teksa përshëndeti mbështetësit e tij që ishin mbledhur shumë pranë fuoristradës, të rrethuar nga agjentë të Shërbimit Sekret.

Trump kur njoftoi bastisjen nuk tha konkretisht se çfarë po kërkonin agjentët federalë, por tha me notë proteste: “Ata hynë edhe në kasafortën time!”.

Hetimi është fokusuar në materialet që ka në posedim Trump, dhe veçanërisht nëse ai ka informacion të klasifikuar në posedimin e tij privat, që do të ishte shkelje e ligjit federal.

Kjo pasi, Trump mori me vete në rezidencën e tij 15 kuti me materiale në janar 2021 pasi u largua nga Uashingtoni D.C.

Kutitë u kthyen në Arkivin Kombëtar një vit më vonë në janar 2022, por agjentët të hënën po kërkonin të shihnin nëse Trump kishte të dhëna shtesë.

Kërkimi u fokusua në zonën e klubit ku ndodhen zyrat dhe ambientet personale të Trump, raportoi CNN, duke vënë në dukje se avokatja e tij, Christinia Bobb ishte e pranishme gjatë kontrollit.

Dhe, gjatë një takimi në Mar-a-Lago në fillim të këtij viti, avokati i Trump u tregoi hetuesve federalë dokumente që po mbaheshin në këtë pronë, duke përfshirë disa që ishin shënuar të klasifikuara.

Bastisja vjen pasi Donald Trump po shqyrton paraqitjen e një tjetër oferte për presidencën dhe veprimet e tij pas zgjedhjeve të vitit 2020, ku ai u përpoq të zhvlerësonte fitoren e Joe Biden, janë nën hetim nga ligjvënësit në Capitol Hill.

Për bastisjen që nisi të hënën dhe zgjati disa orë, Trump është shprehur se është e pazakontë që ndërhyrja federale të bëhet në rezidencën e një ish-komandanti të përgjithshëm.

''Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur, Mar-A-Lago në Palm Beach, Florida, është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së. Asgjë e tillë nuk i ka ndodhur kurrë një presidenti të Shteteve të Bashkuara më parë. Pas punës dhe bashkëpunimit me agjencitë përkatëse qeveritare, ky bastisje e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme”, tha Trump në deklaratën e tij tronditëse.

Në vijim ai e cilësoi atë si “sjellje të pahijshme prokuroriale, armatim të Sistemit të Drejtësisë dhe një sulm nga Demokratët e Majtë Radikalë, të cilët dëshpërimisht nuk duan që unë të kandidoj për President në 2024”.

Sipas Trump, ndërhyrja vjen në një kohë, kur sondazhet e fundit e nxjerrin përpara Biden.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco