Fillon në Hagë konferenca për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë

Fillon në Hagë konferenca për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë

13:56, 14/07/2022

Prokurori i lartë i Ukrainës dhe zyrtarë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian  takohen sot në Hagë për të diskutuar mbi hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, shkoi në konferencën që mbahet në qytetin holandez për të koordinuar ndarjen e provave, strategjinë e ndjekjes penale dhe kuadrin ligjor për çuarjen e kriminelëve të luftës para drejtësisë.

“Bota është e bashkuar me Ukrainën për të gjetur mjete efektive për ta dërguar Rusinë para drejtësisë për mizoritë që forcat e saj kryejnë në tokën tonë”, shkroi Venediktova në Tëitter nga Haga.

Në një deklaratë hapëse në konferencë, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet tha: “Sistemi kombëtar i drejtësisë i Ukrainës ka ndërmarrë tashmë hapa të rëndësishëm hetimi dhe gjykimi, të cilët ne po i monitorojmë. Duke pasur parasysh gjerësinë e sfidave me të cilat po përballet, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë rritjen e kapaciteteve për hetimet e Ukrainës për krimet e luftës të kryera në territorin e saj, pavarësisht nga rrethanat.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba pritet të japin deklaratat përmbyllëse me video më vonë gjatë ditës së sotme.

Venediktova më parë tha se Ukraina ka identifikuar më shumë se 600 rusë të dyshuar për krime lufte dhe ka filluar ndjekjen penale rreth 80 prej tyre. Dy ushtarë rusë tashmë janë dënuar sipas ligjit penal të Ukrainës.

Rusia vazhdon të mohojë se trupat janë përfshirë në krime lufte në atë që ajo e quan një "operacion special ushtarak" në Ukrainë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco