Hungaria shpall ‘gjendjen e jashtëzakonshme’ mbi rrezikun e mungesës së energjisë

Hungaria shpall ‘gjendjen e jashtëzakonshme’ mbi rrezikun e mungesës së energjisë

08:31, 14/07/2022

Hungaria ka shpallur një "gjendje të jashtëzakonshme" në përgjigje të ndërprerjeve të furnizimit dhe rritjes së çmimeve të energjisë në Evropë.

Qeveria e vendit thotë se tani do të rrisë kapacitetet e saj vendase të prodhimit të energjisë për të siguruar furnizim  të menjëhershëm.

Gergely Gulyás, shefi i shtabit të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, fajësoi luftën në Ukrainë dhe sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për "krizën energjetike" të Evropës.

Nuk ka gjasa të ketë gaz të mjaftueshëm në Evropë për sezonin e ngrohjes në vjeshtë dhe dimër, tha ai në një konferencë shtypi në Budapest.

"Lufta e zgjatur dhe sanksionet nga Brukseli kanë bërë që çmimet e energjisë të rriten në mënyrë dramatike në të gjithë Evropën, dhe në fakt një pjesë e madhe e Evropës është tashmë në një krizë energjetike," shtoi Gulyás.

Budapesti thotë se do të rrisë prodhimin vjetor të gazit natyror nga 1.5 miliardë metra kub në 2 miliardë metra kub.

Vendi anëtar i BE planifikon gjithashtu të rrisë nxjerrjen e qymyrit dhe të rivendosë një termocentral  me linjit në Matra.

Eksportet e energjisë do të jenë të ndaluara dhe centrali i vetëm bërthamor i Hungarisë do të zgjasë kohën e funksionimit për të rritur prodhimin, tha Gulyás të mërkurën. Qytetarët janë urdhëruar gjithashtu që të “kujdesen për konsumin ose të paguajnë tepricën me çmimin e tregut”.

Masat - të cilat bien ndesh me angazhimet e Hungarisë për klimën - është vendosur që të hyjnë në fuqi në gusht.

Njoftimet vijnë pasi Orbán thirri një mbledhje të kabinetit për të diskutuar atë që ai e quajti një "emergjencë energjetike" në Evropë./ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco