Kundërofensiva/ Ushtria e Ukrainës rimerr Kharkivin, ikin rusët

Kundërofensiva/ Ushtria e Ukrainës rimerr Kharkivin, ikin rusët

17:21, 14/05/2022

Kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov, tha për BBC se rusët janë tërhequr nga zona e qytetit në drejtim të kufirit rus. Ai tha se trupat ruse, kishin mundur vetëm të hynin në një pjesë të vogël të qytetit të rëndësishëm verilindor dhe nuk mundën të qëndronin gjatë atje.

Rusët e kanë bombarduar në vazhdimësi Kharkivin sepse ata ishin shumë pranë qytetit. Dhe për shkak të përpjekjeve të mbrojtjes territoriale të qytetit dhe forcave të armatosura ukrainase, tani rusët janë tërhequr nga zona e qytetit në drejtim të kufirit rus”, tha ai duke shtuar se tani qyteti ishte i qetë se njerëzit po ktheheshin gradualisht në qytet.

Por fatkeqësisht, shumë ndërtesa banimi janë shkatërruar ose dëmtuar dhe shumë banorë nuk kanë ku të qëndrojnë.

Ndërkohë, nuk ka patur bombardime mbi qytet pesë ditët e fundit me vetëm një përpjekje të rusëve për të goditur qytetin me një raketë afër aeroportit, por edhe ajo u eleminua nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Qyteti i Kharkivit në ukrainën verilindore, ndodhet vetëm rreth 50 km larg kufirit rus dhe jo shumë larg rajonit të Donbasit, ku qëndrojnë grupet separatiste që luftojnë krah rusisë.

Ai është një qytet i madh, i dyti më i madh i Ukrainës dhe para luftës kishte 1.4 milionë banorë, me provincat përreth që mbanin të paktën edhe 1 milionë banorë të tjerë.

Kharkvi u bë një shënjestër strategjike e Rusisë që në ditët e para të pushtimit, por mbrojtja ukrainase zbrapsi përpjekjet për marrjen e kontrollit të tij.

Kjo bëri që Rusia t'i kthehej artilerisë së rëndë, ashtu siç bëri edhe me Mariupolin, duke shkaktuar shkatërrim ngado.

Javët e fundit, forcat ukrainase avancuan në qytet dhe zbrapsën trupat ruse. Disa raporte sugjerojnë se armët e artilerisë ruse janë shtyrë aq larg sa që nuk kërcënojnë më qytetin.

Gjithashtu, forcat ukrainase kanë nisur ofensivën kundër ushtrisë ruse edhe në Izyum. Mësohet se ushtarët e Putinit po tërhiqen në disa drejtime drejt territorit rus.

Ukraina po bën përpjekje të vazhdueshme prej disa ditësh për ta çliruar Izyumin nga rusët. Megjithatë, nga burime të besueshme në terren raportohet se 80% e qytetit është shkatërruar nga bombardimet.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco