Putin në “fazën e Millosheviqit”

Putin në “fazën e Millosheviqit”

09:17, 30/01/2022
Janë bërë gati tetë vjet prejse Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë dhe ka aneksuar Gadishullin e Krimesë – gjë që ka nxitur një sërë sanksionesh ndërkombëtare kundër saj. Sot, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë e gjejnë sërish veten duke u përpjekur të kuptojnë se si ta pengojnë presidentin rus, Vladimir Putin, nga pushtimi eventual i Ukrainës. “Sigurisht se duhet shqetësuar nëse pushton një fuqi bërthamore. Nëse Putin pushton, kjo do të ishte hera e parë nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Rusia, tash e sa javë, ka vendosur pranë kufijve me Ukrainën mbi 100,000 trupa të saj, bashkë me armatim të rëndë. Sipas informacioneve të inteligjencës perëndimore, trupat ndodhen në distancë sulmi. Rusia i mohon planet për pushtim dhe thotë se NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj. Rusia kërkon garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën. Shtetet e Bashkuara – fuqia më e madhe në NATO – kanë refuzuar në një letër me shkrim kërkesat ruse për zgjerimin e aleancës, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës. “Ne jemi të hapur për dialog, ne preferojmë diplomacinë dhe jemi të përgatitur të ecim përpara aty ku ka mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi, nëse Rusia ndal agresionin ndaj Ukrainës, nëse ndal retorikën nxitëse dhe diskuton për të ardhmen e sigurisë në Evropë në frymën e reciprocitetit”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se SHBA-ja nuk i ka marrë parasysh shqetësimet e Rusisë për sigurinë, por ka theksuar se ka hapësirë për të vazhduar dialogun me SHBA-në për këtë çështje. Në një deklaratë më herët, Lavrov ka thënë se nëse Perëndimi nuk u përgjigjet kërkesave ruse, Kremlini do t’i marrë masat e duhura, por nuk ka specifikuar se cilat mund të jenë ato. Po, përse Rusia është kaq shumë e fokusuar te Ukraina? Kur në vitin 1991 është shpërbërë Bashkimi Sovjetik, Rusia ka humbur kontrollin e 14 republikave që i ka dominuar më parë. Humbja e Ukrainës, megjithatë, ka qenë më e dhimbshme për të, marrë parasysh lidhjet e gjata midis dy vendeve. Ukraina, me shekuj, ka qenë pjesë e perandorisë ruse, përpara se të bëhej republikë sovjetike. Vendi tani është duke lëvizur gjithnjë e më shumë kah Perëndimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco