Rusia i vazhdon sulmet në rajonin e Harkivit, ku Putini synon të krijojë “zonë neutrale”

Rusia i vazhdon sulmet në rajonin e Harkivit, ku Putini synon të krijojë “zonë neutrale”

18:35, 17/05/2024

Rusia po i vazhdon sulmet në rajonin verilindor të Ukrainës, Harkiv, ku Moska synon ta krijojë një “zonë neutrale”.

Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Oleksandr Syrskiy, tha më 17 maj se zona e luftimeve është zgjeruar për 70 kilometra. Kjo e ka detyruar Kievin, i cili përballet me mangësi në fushëbetejë tashmë, të dërgojë më shumë trupa në këtë zonë lufte dhe të dobësohet në pjesët e tjera.

Duke folur gjatë një vizite në Kinë më 17 maj, presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia ka nevojë ta krijojë një zonë të sigurisë, pasi Ukraina po kryen sulme të vazhdueshme në rajonet kufitare ruse si, Belgorod, i cili ndodhet rreth 80 kilometra në veri të qytetit Harkiv.

“Civilët po vdesin atje. Është e qartë. Ata po e godasin direkt qendrën e qytetit, zonat e banimit. E kam thënë publikisht se, nëse kjo vazhdon, ne do të detyrohemi ta krijojmë një zonë të sigurisë, një zonë neutrale. Këtë po e bëjmë”, tha Putin.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 16 maj se situata në verilindje të rajonit Harkiv, ku forcat ruse kanë çarë përpara me një ofensivë të gjerë prej javës së kaluar, vazhdon të jetë shumë e vështirë, por “përgjithësisht nën kontroll”.

Syrskiy tha në Telegram se ofensiva e Moskës dështoi , sepse ishte nisur para kohe.

“Armiku e nisi një ofensivë shumë para kohe, kur i vërejti lëvizjet e trupave tanë. Megjithatë, ajo dështoi të depërtojë përtej mbrojtjes sonë”, shkroi Syskiy.

Por, ai shtoi se Ukraina e “kupton se na presin beteja të vështira”.

Betejat më të ashpra janë duke u zhvilluar për qytetin Vovçansk, i cili ndodhet rreth 5 kilometra larg kufirit rus.

Administratori rajonal i Harkivit, Oleh Synyehubov, tha më 17 maj se forcat ruse po bëjnë përpjekje për ta rrethuar qytezën e vogël, e cila është braktisur pothuajse nga të gjithë banorët e vet, përjashtuar rreth 200 njerëz që kanë ngecur brenda tij.

“Armiku ka filluar ta shkatërrojë qytetin. Nuk është vetëm rrezik të jesh atje, por edhe e pamundur”, tha Synyehubov.

Ndërkohë, një burim i tha Radios Evropa e Lirë se Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Ukrainës (SBU), së bashku me Drejtorinë Kryesore të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes , i sulmuan objektet logjistike të ushtrisë ruse në Sevastopol, në Gadishullin e uzurpuar të Krimesë dhe në rajonin rus Krasnodar përgjatë bregdetit të Detit të Zi.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më 17 maj se 51 dronë u shkatërruan mbi Krimenë e uzurpuar, 44 mbi Krasnodar, gjashtë mbi Belgorod dhe një mbi rajonin Kursk. Gjatë natës u shkatërruan gjashtë dronë detarë ukrainas në Detin e Zi, sipas saj.

Nuk ka qenë e mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur pretendimet ruse.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë më 17 maj se kundërajrorët ukrainas i rrëzuan të gjithë 20 dronët e lëshuar nga Rusia në pesë rajone ukrainase gjatë natës./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco